Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Michigan të SHBA-së ku një 44-vjeçar shqiptar u vra me armë zjarri jashtë restorantit ku ai ishte menaxher (Prime 7 Bar & Restaurant, 635 Cooley Lake Road, në Commerce Township).
Viktima është identifikuar si Françesk Shkambi, 44 vjeç banues në Howell. Policia e gjetën 44-vjeçarin të plagosur në një verandë jashtë restorantit. Pavarësisht ndihmës mjekësore ai ndërroi jetë në spital.
Personi i dyshuar i krimit është një banor 65-vjeçar i Farmington Hills, i cili u dorëzua vetë në polici. Ai po mbahet në Burgun e Qarkut Oakland.
Gjatë kontrolleve hetuesit gjetën një armë që ata besojnë se është përdorur gjatë vrasjes, një pistoletë 9 mm e cila u raportua e vjedhur, sipas autoriteteve.
Pronari i Prime 7, Frank Gjuraj, njëkohësisht edhe kunati i Shkambit ka treguar se fillimisht një person e mori në telefon për të biseduar. Pasi 44-vjeçari doli nga restoranti u qëllua dy herë me armë.
Sherifi Michael Bouchard tha se i dyshuari dhe viktima njiheshin dhe kishin mosëmarrëveshje me njëri tjetrin, pa dhënë të tjera detaje.
Ndërkohë bëhet me dije se Shkambi mori një ulje dënimi nga Presidenti Joe Biden në dhjetor 2024. Ai ishte dënuar për komplot për posedim dhe shpërndarje të kokainës, heroinës, marihuanës dhe ekstazisë në vitin 2013.

