GazetaMax
Lajme

Kreu i Bogovinës, Feti Abazi: Donacion i rëndësishëm për zjarrfikësit e Bogovinës, rriten kapacitetet dhe siguria e ekipit

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Komuna e Bogovinës sot ka pranuar një donacion të çmuar për njësinë e saj të zjarrfikësve. Kryetari i komunës, Feti Abazi, njoftoi se bëhet fjalë për mbathje të specializuara dhe pajisje profesionale, të cilat do të rrisin sigurinë dhe efikasitetin e zjarrfikësve gjatë ndërhyrjeve.

“Mbrojtja e shëndetit dhe jetës së zjarrfikësve është kruciale. Investimi në pajisje profesionale nuk është luks, por domosdoshmëri,” deklaroi Abazi, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së ekipit për misionet e tyre fisnike.

Donacioni është pranuar nga njësia territoriale e zjarrfikësve në Tetovë, e udhëhequr nga komandanti Avni Ameti, i cili dorëzoi uniformat dhe pajisjet profesionale për ekipin zjarrfikës të Bogovinës.

“Për këtë kontribut jemi mirënjohës komandantit Ameti dhe të gjithë atyre që kanë ndihmuar në realizimin e këtij donacioni,” u shpreh Abazi.

Kryetari theksoi se ky është vetëm fillimi i një plani më të gjerë për përforcimin e kapaciteteve të mbrojtjes nga zjarret dhe fatkeqësitë.

“Investimet tona dhe bashkëpunimi për ta rritur kapacitetin e njësisë së zjarrfikësve nuk do të ndalen këtu. Komuna do të vazhdojë të investojë në sigurinë dhe pajisjen e tyre profesionale,” shtoi ai.

Ky hap pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së ndërhyrjeve dhe sigurinë e zjarrfikësve në terren, duke forcuar kështu mbrojtjen për të gjithë banorët e Komunës së Bogovinës.

https://www.facebook.com/share/p/175oZKzWXM/