Për Manuel Akanji, titulli në Serie A do të ketë një vlerë të dyfishtë. Motivi i parë është i thjeshtë; të triumfojë edhe në Itali. Deri tani zvicerani ka ngritur trofe në të gjitha vendet ku ka luajtur; Zvicëe, Gjermani, Angli. Kupa të fituara me Bazelin, të tjera me Borussia me Dortmundin dhe tripletën e trofeve me Manchester City. Triumfi në Itali do të thotë një tjetër trofe në palmaresin e tij.
Interi e mori Akanji nga Manchester City me huazim me të drejtë blerjeje prej 15 milionë euro. Por nëse zikaltrit do të fitojnë titullin, opsioni bëhet përfundimtar pa kaluar te anglezët, është një prej kushteve që lidhen me formulën e përpiluar nga Ausilio e Marotta në verë. Gjithsesi Interi ka ndërmend të blejë kartonin e Akanji në çdo rast pasi mbrojtësi ka bërë një paraqitje shumë të mirë.
Akanji ka luajtur 13 ndeshje deri tani me Interin në kampionat dhe të gjitha si titullar dhe për të 90 minutat. Chivu nuk e ka zëvendësuar kurrë, e ka lënë në stol vetëm në ndeshjet kundët Bolognas në Superkupë dhe Venezias në Coppa Italia. Në Serie A, është futbollisti i katërt për pasimet e kompletuara cdo 90 minuta(61.6 për ndeshje), te Interi është lojtari i dytë që ka fituar më shumë duele(50). Një siguri, nga e cila thuajse nuk hiqet kurrë dorë. Kjo edhe sepse, zvicerani, i destinuar të luajë botërorin e tij të tretë në verë, mund të luajë si në krahë ashtu edhe në mes të mbrojtjes, një rol i dyfishtë të cilin trajneri ia caktoi në shumë raste.
Për këto arsye, drejtuesit e Interit kanë vendosur që ta blejnë përfundimisht kartonin e tij. Akanji shpejt do të festojë 31 vjetorin e lindjes, por eksperienca është në anën e tij. ‘Shpresoj që të qëndroj këtu-tha ai përpara pak muajsh-të shohim se çfarë do të ndodhë këtë sezon, më pas me klubin do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Tani jam i lumtur në Milano’. Por edhe Interi është i kënaqur me të.

