Protesta masive kanë shpërthyer ditët e fundit në qytete anembanë Iranit, me demonstrues që bllokojnë rrugët dhe ndezin zjarre në kryeqytetin Teheran. Vala e zemërimit për shkak të kushteve të vështira ekonomike u ka dhënë shpresë liderëve perëndimorë, të cilët nuk pajtohen me regjimin e Ali Khameneit.
Të paktën 45 protestues, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i demonstratave në Iran, me qindra të tjerë që janë plagosur dhe mbi 2,000 të tjerë të ndaluar.
Ndërkohë, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Fars tha se 950 oficerë policie dhe 60 pjesëtarë të forcës paraushtarake Basij janë plagosur.
Protestat në Iran shpërthyen për herë të parë gati dy javë më parë kur dyqanxhinjtë në rrugët e ngushta të Pazarit të Madh të kryeqytetit, Teheranit, protestuan kundër politikave të dështuara ekonomike të qeverisë, me thirrjet që tronditën regjimin.
Presidenti Donald Trump, postoi një video në rrjetet sociale duke pretenduar se regjimi iranian ka humbur kontrollin e qytetit të dytë më të madh, pasi miliona njerëz dolën në rrugë atje, por mediat ndërkombëtare nuk kanë mundur t’i verifikojnë deklaratat.
“Mbi një milion njerëz mblidhen në tubim: Qyteti i dytë më i madh i Iranit nën kontrollin e protestuesve, forcat e regjimit largohen”, shkroi ai në platformën Truth Socials.
Protestat e ditëve të fundit janë më të mëdhatë që nga demonstratat në shkallë të gjerë dhe vdekjeprurëse që u nxitën nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, ndërsa ishte në paraburgim nga policia fetare në vitin 2022.
Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei i bëri thirrje Presidentit Donald Trump, të “përqendrohet në problemet e vendit të tij” në një fjalim televiziv të premten, ndërsa protestat antiqeveritare përhapen në të gjithë vendin.
“Ka disa agjitatorë që duan t’i bëjnë qejfin presidentit amerikan duke shkatërruar pronën publike. Një popull iranian i bashkuar do t’i mposhtë të gjithë armiqtë. I bëj thirrje urgjente Trumpit që të përqendrohet në problemet e vendit të tij”, tha Khamenei.
“Republika Islamike erdhi në pushtet nëpërmjet gjakut të qindra mijëra qenieve njerëzore fisnike”, tha ai. “Republika Islamike nuk do të tërhiqet përballë atyre që kërkojnë të na shkatërrojnë.”
Edhe Izraeli po i monitoron nga afër protestat në Iran, edhe pse zyrtarët qeveritarë janë të kujdesshëm të komentojnë hapur rreth demonstratave. Kryeministri Benjamin Netanyahu u ka udhëzuar ministrave të kabinetit të përmbahen nga komentet publike, sipas një burimi izraelit, në mënyrë që të mos i japë regjimit ndonjë justifikim shtesë për të fajësuar Izraelin.
“Nga pikëpamja e Izraelit, kjo nuk është koha e duhur për të ndërhyrë”, tha një ish-zyrtar i lartë izraelit për CNN. “Nuk ka asnjë arsye për të prishur dobësimin e brendshëm të regjimit ose për t’i dhënë atij një pretekst për të mbledhur mbështetje të brendshme.”

