Ministri Agon Ferati mirëpriti në takim ambasadorin e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Christoph Sommer, me të cilin diskutoi për aktivitetet e ministrisë dhe projektet me interes të përbashkët. Në fokus të takimit ishte zhvillimi ekonomik, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të SwissCham në lidhjen e kompanive zvicerane me ato të Maqedonisë së Veriut, krijimin e partneriteteve dhe mundësive për investime të reja, si dhe organizimin e kontakteve B2B dhe rrjetëzimit të bizneseve. U theksua se këto iniciativa, së bashku me potencialin e diasporës, mund të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për të dyja vendet. U diskutua edhe për programet zhvillimore zvicerane, mbështetjen për start-up kompanitë dhe mundësitë për trajnimin e studentëve.
Ministri Ferati falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, bujqësinë, organizatat joqeveritare dhe trajnimet.
