Përfundon shitja e “Tinex”-it, kush është pronari i ri nga Kosova?

“Proeks Internacional” me seli në Prishtinë është aktive që nga viti 2011 dhe qëndron pas “Interex”-it – një prej zinxhirëve më të mëdhenj të shitjes me pakicë në Kosovë, me 36 markete në 18 qytete dhe rreth 1.700 të punësuar. Pronari i vetëm i “Proeks”-it është shoqëria “CDI Kosovo”, në të cilën 93 për qind të aksioneve i zotëron biznesmeni kosovar Shaip Mikullovci.

Kompania kosovare “Proeks Internacional” zyrtarisht është bërë pronare e supermarketeve “Tinex”, në pronësi të biznesmenit Vladimir Todoroviq, të cilat gjatë periudhës së fundit u përballën me vështirësi të mëdha në funksionim. Problemet ishin të dukshme edhe në vetë marketet, ku kishte mungesë të madhe të produkteve.

Ndryshimi në strukturën pronësore të “Tinex”-it tashmë është regjistruar zyrtarisht në Regjistrin Qendror, pasi paraprakisht të dyja palët kishin nënshkruar një letër qëllimi dhe një kornizë për realizimin e transaksionit, e cila kishte kaluar edhe filtrat e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Marrëveshja ka të bëjë me biznesin e shitjes me pakicë të “Tinex-MT”, i cili operon nën emrat “Tinex”, “Super Tinex”, “Tinex Delikates”, “Konto” dhe “Spot”. Për nevojat e kësaj marrëveshjeje, këto aktivitete u transferuan në një subjekt të ri juridik, “Tinex Market”.

Ndërkaq, “Proeks Internacional”, me seli në Prishtinë, aktiviteti kryesor i së cilës është tregtia me pakicë në dyqane të paspecializuara, kryesisht me ushqime, pije dhe produkte të duhanit, është aktive që nga viti 2011 dhe qëndron pas “Interex”, një prej zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve në Kosovë.

Bëhet fjalë për zinxhirin e dytë më të madh të marketeve në Kosovë, ndërsa kompania mëmë që e zotëron ka në pronësi edhe pika të karburantit dhe një pasuri të konsiderueshme të patundshmërive. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kompania ka realizuar të ardhura prej më shumë se 223 milionë eurosh.

Pronari i vetëm i “Proeks”-it është shoqëria “CDI Kosovo”, në të cilën 93 për qind të aksioneve i zotëron biznesmeni kosovar Shaip Mikullovci. Ai njëkohësisht është edhe kryetar i Bordit Drejtues të grupacionit që zotëron marketet “Interex” dhe brende të tjera, si dhe qendra tregtare në Prishtinë, Pejë dhe Drenas.

Sa i përket drejtuesit të ri të “Tinex”-it, Liridon Berisha, ai ka një përvojë shumëvjeçare në sektorin e shitjes me pakicë. Në biografinë e tij përfshihen pozita drejtuese në “Interex”, por edhe në “Viva Fresh”, “Emona City” dhe “Elkos Group”, ku ka punuar në fushat e logjistikës, importit, marketingut, shitjeve dhe menaxhimit operacional.

Siç dihet, “Tinex” gjatë periudhës së fundit është përballur me sfida serioze financiare. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e kompanisë gjatë vitit 2025 ishin rreth 86 milionë euro, që paraqet një rënie prej më shumë se 16 për qind krahasuar me vitin 2024.

Për më tepër, nëse në vitin 2024 kompania kishte realizuar fitim prej 878 mijë eurosh, vitin e kaluar ajo regjistroi një humbje prej 3.5 milionë eurosh.

Edhe numri i të punësuarve ka shënuar rënie. Në vitin 2024, “Tinex” kishte 1.120 të punësuar, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër ra në 995 punonjës.