Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar të papranueshëm kthimin për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, duke paralajmëruar protesta nëse legjislativi e zvarrit miratimin e tij. Organizuesi i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se përgjegjësia për situatën e krijuar u takon të gjithë deputetëve që e kanë votuar ligjin më 6 tetor.
Reagimet vijnë pasi presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Specialen, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte hartuar dhe sponsorizuar atë.
Gazmend Syla, nënkryetar i OVL UÇK, në një deklaratë për KosovaPress, tha se ky veprim ka kthyer pothuajse në pikën zero përpjekjet për ndryshimin e ligjit, duke e cilësuar atë si fitore për Gjykatën Speciale.
Ai u shpreh i zhgënjyer me angazhimin e deritanishëm të veteranëve në kundërshtim të Gjykatës Speciale, duke thënë se ndihen të ofenduar nga zhvillimet politike.
“Për ne është një akt politik tepër i ulët dhe i papranueshëm. Në njëfarë forme është ndërtuar një kauzë në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, dhe në bazë të kësaj kauze ndodhën këto veprime. Ishte një lloj shprese për neve, se do të ndodhë diçka e mirë, pas plotësim-ndryshimit të ligjit. Tashmë, jemi kthyer pothuajse në pikën zero. Ligji tani është kërkuar të kthehet pas. Jam i bindur që çka do që vjen, çdo ndryshim do të jetë më i dobët sesa ky që ka qenë. Njëkohësisht, kjo është një fitore për Gjykatën Speciale, sepse tash mezi pret të thotë se ju e keni pasur gabim, ja çfarë ndodhi. Ju e dini se OVL UÇK në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në protesta, kemi pasur raste që është përgjakur në shesh, në konfrontime me policinë, ka pasur çarje në fytyrë e kokë dhe përfundimisht tash t’ju themi se ai aktivitet kundërshtues paska qenë i kot dhe ndjehem keq, të ofenduar për këtë lojë politike që është bërë”, tha Syla.
Syla paralajmëroi se OVL UÇK do të fillojë sërish protestat nëse partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës nuk tregojnë seriozitet për procedimin e shpejtë të ligjit pas kthimit të tij nga Presidenca, duke theksuar se afatet për apelimin e vendimeve në Hagë po ecin.
Nënkryetari i OVL-UÇK, përgjegjësinë kryesore ia adresoi partisë që kishte promovuar ndryshimet ligjore, duke e cilësuar të pakuptueshme kërkesën për kthimin e ligjit.
“Tash afati për apel është duke ecur, po afrohen ditët. Nëse nuk do të shohim seriozitet nga ana e Parlamentit dhe partive politike që ta procedojë sa më shpejt ligjin, sigurisht ne do të jemi në rrugë që t’i bëjmë presion Kuvendit tonë që sa më shpejtë të nxirret ligji i ri. Nëse do të provojnë ta zvarrisin, ne do të dalim, më e rëndësishme është UÇK-ja sesa disa politika ditore. Përgjegjësia, barra kryesore i bie kësaj partie, kjo ka proklamuar, ka nxitur edhe reagim qytetarë e ka nxjerrë shpresë, kërkesa për tërheqjen është e pakuptueshme. Ne nuk mund ta testojmë as presidenten nëse do ta dekretonte atë ose jo”, tha Syla.
Ndërsa, organizuesi i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, kritikoi mënyrën se si deputetët e kanë trajtuar ligjin, duke thënë se ndryshimet janë lënë për momentin e fundit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të protestuesve.
Ai kundërshtoi edhe përpjekjet për politizimin e protestave, ndërsa theksoi se përgjegjësia për përmbajtjen e ligjit u takon të gjithë atyre që e kanë votuar.
“Vazhdimisht ka qenë një tendencë për t’i politizua protestat, por realiteti ka qenë diçka tjetër. Presioni për votimin e ligjit për UÇK-në ka qenë për shkak të rrethanave në të cilat kemi qenë. Deputetët kanë pasur një afat kushtetues për shkak të obligimeve për zgjedhjen e presidentit. Duke parë këtë realitet, kemi pasur kërkesë që ta bëjmë ligjin, pastaj temat politike t’i rregullojnë mes vete. Ata e kanë lënë natën e fundit. Ligji gjithmonë ka qenë në një prioritet sekondar për ta. Ne kemi protestuar nga dita e parë, me dy kërkesa për ndryshimin e ligjit dhe fonde të mjaftueshme për ata në Hagë… Është përgjegjësi e të gjithë atyre që e kanë votuar këtë ligj nëse kanë pasur hapësirë dhe mundësi për ta ndryshuar është dashur qysh atëherë”, tha Haziri.
Ndryshe, Presidenca ka bërë të ditur se kthimi i ligjit për rishqyrtim lidhet me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës Speciale, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.
Ligji, i miratuar nga Kuvendi më 6 tetor, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe faljen presidenciale.
Burimi: botasot.info
