Në parkun Pionirski në Beograd është vendosur një gardh metalik, përtej të cilit qytetarëve u është ndaluar kalimi. Sipas raportimit të mediumit “Vreme”, policia po lejon të kalojnë përmes gardhit burra të veshur me të zeza.
Gazetari i njohur dhe autori i podkastit “Agelast”, Galeb Nikačević, është goditur nga një burrë me kapuç të zi, derisa po filmonte zhvillimet në atë zonë.
Ndërkohë, para zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS) në Lazarevc, mbrëmjen e sotme ka ndodhur një përleshje fizike mes protestuesve dhe aktivistëve të kësaj partie.
Sulme janë raportuar edhe ndaj kryeredaktorit të portalit “InfoVranjske”, Mihajlo Stojković, dhe gazetares së së përditshmes “Večernje novosti”, Jelena Stojković.
Sipas portalit “InfoVranjske”, prokuroria kompetente ka njoftuar se janë arrestuar dy persona, I. K. (57) dhe D. A. (28), nga fshati Pavlovac, nën dyshimin se kanë sulmuar gazetarët.
Sipas prokurorisë, të dyshuarit i kanë fyer gazetarët, janë përpjekur t’ua marrin telefonin dhe më pas kanë hedhur gurë në drejtim të tyre.
Një grup motoçiklistësh, të cilët po vizitonin vendvotimet në Nish, është sulmuar pranë stacionit të zjarrfikësve. Sipas deklarimeve të tyre, sulmi është kryer nga rreth 50 burra, të cilët kanë mbërritur me afro dhjetë automjete.
