Shkup, 5 Maj – Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Elizabeta Naumovska, ka sqaruar se afati ka qenë deri më 21 prill, por për shkak se deri këtë javë afër 1600 maturantë, që është më shumë se 10 për qind e numrit të përgjithshëm, nuk kanë aplikuar për ta mbrojtur temën e maturës, janë detyruar ta shtynë afatin deri në mes të majit.
Ndër problemet kryesore që doli nga greva e përgjithshme e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), ishte mbarimi i shkollës së mesme të maturanteve dhe dhënia e provimeve shtetërore dhe mbrojtjen e temës së maturës shtetëror. Derisa afati i fundit për ta mbrojtur e temën e diplomimit ishte 21 prilli, por për shkak se mësimdhënësit ishin në grevë të përgjithshme një numër i madh i nxënëseve nuk arritën afatin ligjor për ta mbrojtur temën e maturës. Për këtë arsyeje nxënësit kërkuan të shtyhet afati i paraqitjes për ta mbrojtur temën e maturës shtetërore.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Elizabeta Naumovska, ka sqaruar për media se afati ka qenë deri më 21 prill, por për shkak se deri këtë javë afër 1600 maturantë, që është më shumë se 10 për qind e numrit të përgjithshëm, nuk kanë aplikuar për ta mbrojtur temën e maturës, janë detyruar ta shtynë afatin deri në mes të majit. “Ministria e Arsimit është duke punuar për këtë çështje, ndërsa afati do të shtyhet deri më 16 maj. Afatet e diplomimit përcaktohen sipas kalendarit për shkollat e mesme për vitin shkollor 2021/2022. Ne si Qendër Shtetërore e Provimeve theksuam me kohë se ka një numër të konsiderueshëm nxënësish që nuk arritën afatin ligjor për ta mbrojtur temën e maturës. Jemi në kontakt të përditshëm me kabinetin e ministrit dhe informatat e fundit është se vetëm procedura zyrtare dhe afati do të shtyhet deri më 16 maj dhe ndryshimet në atë kalendar duhet të publikohen në Gazetën Zyrtare për të hyrë në fuqi”, u shpreh ajo. Naumovska tha se në disa shkolla, nga vullneti i mirë i mësimdhënëseve u organizua dhe u mundësua provimi dhe maturantët përfunduan mbrojtjen e detyrës projektuese. Por, siç tha ajo, në shumë shkolla kjo nuk u mundësua. “Mendoj se nxënësit kanë mjaft kohë për t’u përgatitur, për të punuar me mësimdhënësit e tyre dhe për ta kaluar me sukses maturën shtetërore”, tha Naumovska.
Ndërkohë lënda e parë eksterne, që duhet të jetë gjuha amtare zhvillohet më 4 qershor. Lënda e dytë eksterne ku nxënësit duhet të zgjedhin mes matematikës dhe një gjuaje të huaj, zhvillohet me datën 13 qershor. Ndërsa më pas vijojnë provimet e brendshme me zgjedhjen e nxënësit që organizohen nga komisionet e maturës së shkollës. Rezultatet e Maturës Shtetërore, përkundër të gjitha sfidave që kanë pasur vitin e kaluar për shkak të pandemisë me virusin korona, do të jenë gati diku në fillim të korrikut përkatësisht më dy apo tre korrik ku edhe rezultatet do të dërgohen në shkolla.
Ndryshe, provimi i maturës shtetërore përbëhet nga pesë pjesë, ku dy lëndë janë provime eksterne, dy të brendshme dhe një pjesë tjetër e përbënë detyra projektuese. Ndërkohë nxënësit nga sot do të shkojnë në shkolla pa maska pasi që dje Qeveria vendosi që t’i heq të gjithë masat kundër virusit korona.