Brennwald i kënaqur me Swiss Indoors 2026: Një vit rekordesh 

Presidenti i turneut Swiss Indoors, Roger Brennwald, ka vlerësuar lart edicionin e 55-të të garës në Basel, duke e cilësuar si një vit rekordesh, pavarësisht se nuk u realizua finalja që ai kishte ëndërruar.

Edhe pse finalja mes Jiri Leheckas dhe Valentin Vacherot nuk ishte ajo që kishte dëshiruar, Brennwald është shprehur i kënaqur me organizimin dhe rezultatet e turneut.

“Finalja ime e ëndrrave do të ishte Novak Gjokovqc kundër Ben Shelton, një përballje e denjë për finalen e një Grand Slami”, deklaroi Brennwald në përfundim të turneut.

Swiss Indoors 2026 regjistroi gjithsej 67.600 spektatorë, përfshirë 2.500 bileta falas për të rinjtë. Ky është rekord për turneun që nga largimi i Roger Federer nga tenisi profesionist.

Edhe pse kapaciteti i palestrës ishte zvogëluar për arsye sigurie, nga 8.600 në 8.100 vende, interesimi i tifozëve ishte jashtëzakonisht i madh.

Kym befasoi Sheltonin

Në aspektin sportiv, Brennwald e vlerësoi turneun si shumë të suksesshëm, duke theksuar nivelin e lartë të ndeshjeve dhe angazhimin paraprak të 12 tenistëve.

Një nga befasitë më të mëdha ishte eliminimi i Ben Sheltonit, numrit katër të botës, nga zvicerani Jérôme Kym, i cili renditej në vendin e 222-të në renditjen botërore.

Kym triumfoi ndaj amerikanit në orët e para të së premtes, duke shkaktuar një nga befasitë më të mëdha të turneut.

Brennwald bëri edhe një shaka në drejtim të Kymit për eliminimin e Sheltonit, ndërsa shprehu krenari për paraqitjet e tenistëve zviceranë.

Pjesëmarrja e Novak Djokovicit, e konfirmuar në momentet e fundit, si dhe lamtumira e Stan Wawrinkës nga turneu, ndikuan gjithashtu në interesimin e madh të publikut.

Turneu më i shtrenjtë në histori

Brennwald bëri të ditur se edicioni i këtij viti ishte edhe më i shtrenjti në historinë e Swiss Indoors.

Buxheti i organizimit arriti në afro 19 milionë franga zvicerane. Ndërkaq, turneu i Vjenës funksionon me rreth 5–6 milionë franga më pak se ai i Baselit.

“Ky ishte turneu më i shtrenjtë dhe më i kushtueshëm për t’u organizuar në histori”, u shpreh 80-vjeçari.

Ai theksoi se Zvicra dhe Baseli kanë kufizime në krahasim me metropolet e mëdha, sidomos sa i përket kapacitetit dhe mundësive për të organizuar më shumë se një sesion në ditë.

Për këtë arsye, Brennwald vlerëson se turneu nuk mund të zgjerohet më tej dhe se është e rëndësishme që organizatorët të ruajnë nivelin aktual.

Megjithatë, ai synon të vazhdojë edhe për disa vite punën me ekipin organizativ, i cili përbëhet nga rreth 500 punonjës të organizatës dhe 500 bashkëpunëtorë të jashtëm.

Burimi: botasot.info