Roma-Feyenoord është dueli që do të shijojmë pas 19 ditësh në “Air Albania”. Finalja e Ligës së Konferencës do të luhet në kryeqytetin shqiptar të mërkurën e 25 majit.
“Një ide e çmendur në fillimet e saj”, e cilëson Armand Duka organizimin e kësaj finaleje në stadiumin kombëtar.
Presidenti i FSHF-së ka postuar në faqen e tij zyrtare, duke thënë se të gjitha janë gati për finalen e paharruar.
“Dita historike po vjen, Roma & Feyenoord do e bëjnë të paharrueshme finalen e Tiranës. Kush do ta fitojë për herë të parë këtë Kupë? Do të vendoset në tapetin e Arenës tonë të mrekullueshme”.
“Një ide e çmendur në fillimet e saj, por pas një pune voluminoze disa vjeçare të administratës së FSHF-së ja dolëm ta mirëpresim në Shqipëri”.
“Dua t’i falënderoj ata që na besuan në iniciativën tonë, Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e UEFA-s, por edhe ata që na mbështetën pa kursim, ashtu si edhe të gjitha institucionet e vendit”.
“Kemi investuar të gjithë energjitë tona për një organizim perfekt për këdo që do të jetë në Shqipëri dhe jam i bindur se do të kaloni orë e ditë të mrekullueshme në vendin që Mikpritjen e ka të shenjuar në traditën e tij”.