Simeone e vlerëson Kane si fitues të merituar të `Topit të Artë`

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, e ka vlerësuar sulmuesin anglez Harry Kane si fitues të merituar të “Topit të Artë”, në prag të përballjes me Bayern Munich në Champions League.

Dy skuadrat do të takohen të martën në stadiumin “Metropolitano”, në një ndeshje ku Atletico synon ta vazhdojë serinë pozitive prej nëntë ndeshjesh pa humbje.

Simeone ka shprehur admirimin për sulmuesin anglez, duke theksuar se me kalimin e viteve ai ka arritur formën më të mirë, pa e humbur instinktin për të shënuar gola.

“Së pari, dua ta përgëzoj për ‘Topin e Artë’, të cilin e ka merituar. Është e pabesueshme, gjithmonë e kam admiruar”, ka thënë Simeone.

Trajneri argjentinas ka vlerësuar edhe ndikimin e Kane përtej paraqitjeve në fushë, duke thënë se ai është shembull për futbollistët e rinj.

“Talenti i tij është një pasuri për futbollin dhe për lojtarët e rinj që e shikojnë si shembull. Ai lë një trashëgimi që tregon se me punë të palodhshme mund të arrihen gjëra të mëdha”, ka deklaruar Simeone.

Atletico Madrid ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Në mesin e këtyre rezultateve është edhe fitorja 2:1 ndaj rivalit lokal Real Madrid në La Liga.

Në anën tjetër, Bayern Munich vjen pas dy barazimeve radhazi në Champions League.

Pas tri ndeshjeve të zhvilluara në këtë garë, Atletico renditet në vendin e gjashtëmbëdhjetë me katër pikë, ndërsa Bayerni është i katërmbëdhjeti me pesë pikë.

Burimi: botasot.info