Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Kadastër, Amet Ziberi, viziton njësinë rajonale në Veles: Fokus te digjitalizimi dhe shërbimet më efikase për qytetarët
Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Amet Ziberi, ka zhvilluar sot një vizitë pune në njësinë rajonale të Agjencisë në Veles, ku ka takuar të punësuarit dhe ka biseduar nga afër për proceset e përditshme të punës, sfidat me të cilat përballen dhe nevojat për avancimin e mëtejshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve. Gjatë vizitës, Ziberi theksoi se njësia rajonale në Veles ka një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve kadastrale për qytetarët e këtij rajoni, duke nënvizuar se përmirësimi i efikasitetit, modernizimi i proceseve dhe investimi në digjitalizim mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit. Ai vlerësoi punën e stafit lokal dhe theksoi se qëllimi i Agjencisë është që qytetarët të marrin shërbime më të shpejta, më cilësore dhe me më pak pritje në sportele. “Qëllimi ynë është i qartë – më pak pritje në sportele, procedura më të shpejta dhe shërbime më cilësore për secilin qytetar. Përmirësimi i kushteve të punës për të punësuarit dhe avancimi i shërbimeve mbeten pjesë e angazhimit tonë të përditshëm, në mënyrë që Kadastra të jetë sa më afër qytetarëve dhe nevojave të tyre”, është shprehur Ziberi. Nga Agjencia për Kadastër bëjnë të ditur se vizita të tilla në njësitë rajonale do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me qëllim identifikimin e nevojave konkrete në terren dhe përshpejtimin e reformave që lidhen me digjitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve kadastrale në të gjithë vendin. https://www.facebook.com/share/p/14maVNPWxGC/