​Themistokli Gërmenji, luftëtari dhe intelektuali që iu përkushtua çështjes kombëtare

Më 9 nëntor 1917 u ekzekutua në moshën 46-vjeçare, Themistokli Gërmenji, atdhetari, luftëtari dhe intelektuali që iu përkushtua çështjes kombëtare.

Arkivi i Përgjithshëm kujton se, përpjekjet e para patriotike për çlirimin e atdheut, Themistokliu i nisi në mërgatë, pasi shkoi në Rumani bashkë të vëllain, Telemakun. Atje u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare.

Pas Revolucionit Xhonturk të korrikut 1908, hoteli “Liria” në Manastir, u kthye në vatër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Themistokli Gërmenji u lidh me rrethet arbëreshe të Italisë në vitin 1911 dhe më pas iu bashkua patriotëve shqiptarë të Korfuzit.

Viti i pavarësisë, 1912, e gjeti në krye të një çete luftëtarësh që vepronte në krahinën e Korçës. Gërmenji dha ndihmën e tij për qeverinë e Ismail Qemalit me detyra të rëndësishme në administratën shtetërore.

Në shtator 1914 shkoi sërish në Rumani dhe në fillim të vitit pasardhës u zhvendos në Bullgari, ku botoi revistën “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”.

Vitet 1916-1917 u rikthye në atdhe, ku luajti një rol kyç në nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, përmes të cilit u shpall Krahina Autonome e Korçës. Rrugëtimi i tij patriotik përfundoi në mënyrë tragjike.

Patrioti Gërmenji u pushkatua më pas nga francezët, të cilët i bënë gjyq ushtarak patriotit të madh shqiptar.

Burimi: Botasot