GazetaMax
Lajme

Aeroporti i Amsterdamit anulon 700 fluturime, shkak kushtet e motit

Aeroporti “Schiphol” në Amsterdamit ka njoftuar të paktën 700 anulime fluturimesh për shkak të borës dhe erës, pas disa ditësh ndërprerjesh të udhëtimit për shkak të motit.

Më shumë se 1,000 njerëz e kaluan natën në Schiphol. Aeroporti shtoi se ka ngritur shtretër kampingu dhe ka ofruar mëngjes për udhëtarët të cilët u detyruan të flinin atje. Numri i anulimeve pritet të rritet gjatë gjithë ditës.

Bora, akulli dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar kaos në pjesë të Evropës këtë javë, me pesë persona të konfirmuar të vdekur të martën në aksidente rrugore në Francë.

Rreth 100 fluturime u anuluan në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit të mërkurën në mëngjes për shkak të reshjeve të borës dhe të ftohtit të fortë, dhe 40 të tjera u anuluan në aeroportin Orly të kryeqytetit francez.

Shërbimet e autobusëve publikë në Paris dhe periferitë përreth u pezulluan për shkak të rrugëve të akullta, megjithëse shumica e sistemeve hekurudhore të metrosë dhe periferisë ishin në funksion.