Mickoski nga Düsseldorfi: Anëtarësimi në BE nuk nënkupton ndryshimin e identitetit, por përparimin përmes vlerave të reja

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Samitin kushtuar qëndrueshmërisë, të mbajtur në landin gjerman Renania Veriore-Vestfalia, në Düsseldorf, deklaroi se vendi prej 15 vitesh nuk është anëtar i Bashkimit Evropian për shkak të çështjeve, siç i cilësoi ai, artificiale. Sipas tij, bllokadat dhe kushtëzimet e reja nga një shtet anëtar cenojnë jo vetëm procesin e integrimit të vendit, por edhe qëndrueshmërinë e vetë Bashkimit Evropian.

Duke folur në panelin me temë “Qëndrueshmëria si imperativ për të gjithë shoqërinë”, Mickoski theksoi se cenimi i sistemeve nuk ndodh gjithmonë përmes përdorimit të armëve, por mund të realizohet edhe përmes mjeteve të tjera dhe presioneve politike.

Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian duhet të reagojë fuqishëm kur një vend kandidat përballet me çështje nga e kaluara, të cilat parashtrohen si kushte nga një shtet anëtar i Unionit.

Mickoski theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të nënkuptojë ndryshim përmes përvetësimit të vlerave të reja, e jo ndryshim të identitetit.

Kryeministri rikujtoi se rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut ka filluar para 26 vitesh, madje edhe para asaj të Kroacisë, e cila sot është anëtare e Bashkimit Evropian.

Ai gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së dhe kontribuon në mbrojtjen e Unionit nga migrimi i paligjshëm.

Në fund, Mickoski përsëriti se vendi do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e tij dhe për perspektivën e tij evropiane, duke theksuar se integrimi në BE nuk duhet të bëhet në kurriz të identitetit kombëtar.