GazetaMax
Lajme

Anxhelina Jolie vizitoi anën egjiptiane të pikëkalimit Rafah për t’u takuar me refugjatët palestinezë dhe punonjësit humanitarë

Aktorja Anxhelina Jolie vizitoi anën egjiptiane të pikëkalimit Rafah në Gaza, e shoqëruar nga një delegacion amerikan. Zyrtarët vendas e pritën aktoren hollivudiane dhe ish-të dërguarën speciale të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët. Ajo zhvilloi biseda me punonjës humanitarë dhe vullnetarë në terren.

Mediat lokale raportuan se qëllimi i vizitës ishte takimi me palestinezët e plagosur që po trajtohen në Egjipt, si dhe shqyrtimi i dërgimit të ndihmave humanitare drejt Gazës. Agjencia “Associated Press” bëri të ditur se Jolie u takua edhe me pacientë në një spital në qytetin e afërt Arish.

Në Rafah, Jolie u takua me anëtarë të organizatës jofitimprurëse humanitare Gjysmëhëna e Kuqe dhe me shoferë kamionësh përgjegjës për transportin e ndihmave humanitare drejt Gazës.

Pikëkalimi kufitar Rafah duhej të rihapej sipas armëpushimit që është në fuqi në Gaza që nga tetori, por deri më tani mbetet i mbyllur. Egjipti dhe gjashtë vende të tjera, përfshirë Arabinë Saudite, “i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Izraelin, si fuqi pushtuese, që të heqë menjëherë kufizimet për hyrjen dhe shpërndarjen e furnizimeve bazë” në Gaza.

Në fillim të dhjetorit, Izraeli njoftoi se pikëkalimi Rafah do të hapej vetëm për ata që dëshirojnë të largohen nga Gaza, çka autoritetet e Kajros e mohuan shpejt se e kishin miratuar një veprim të tillë. Egjipti kundërshton vendosjen e refugjatëve palestinezë brenda kufijve të tij.

Izraeli bëri të ditur se do t’u lejojë palestinezëve të dalin nga Gaza, por jo të hyjnë, vetëm nëse militantët e Hamasit në territor i kthejnë të gjithë pengjet e marra më 7 tetor 2023. Mbetjet mortore të një pengu ende ndodhen në Gaza.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, që nga fillimi i armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, në Gaza janë vrarë 416 persona dhe 1.142 janë plagosur. Numri i përgjithshëm i viktimave nga lufta në mesin e palestinezëve është të paktën 71.271.