Tetovë, 23 Shtator – Aleanca për Shqiptarët akuzoi pushtetin se në mënyrë të padrejtë banorëve të Pollogut ua ka ndërprerë të drejtën për shtesa e fëmijëve. Nga partia shqiptare në opozitë thonë se edhepse të gjithë qytetarëve që marrin pagën minimale dhe që kanë vetëm një të punësuar në familje iu takojnë shtesat e fëmijëve, Qendra për punë sociale në Tetovë nuk ka lejuar shfrytëzimin e kësaj të drejte, me arsyetimin se kanë pranuar muajve të fundit të ardhura më të larta nga niveli i pagës minimale. Sipas ASH-së për faj të Institucioneve shtetërore po vuajnë qytetarët.
“Kjo flet për atë që ne vazhdimisht kemi paralajmëruar se, Qeveria LSDM BDI nga njëra anë iu jep qytetarëve dhe nga ana tjetër iu merr dyfishin e të ardhurave që ata i meritojnë. Kërkojmë publikisht nga institucionet qendrore të Qeverisë LSDM BDI që urgjentisht të korrigjojë këtë padrejtësi ndaj qytetarëve të rajonit të Pollogut dhe t`iu paguhen qytetarëve gjitha shtesat e fëmijëve dhe të iu paguhet edhe shpërblim, pasi kemi parasysh se gjitha familjet, jetojnë me një pagë të vetme dhe meqë kanë bërë planifikimet s`kanë mundur t`i realizojnë për fajin e kësaj qeverie. Gjithashtu ju bëjmë thirrje edhe avokatëve që t`iu dalin në ndihmë qytetarëve që të kërkojnë nga shteti që përveç shumave që iu takojnë me Ligj, t`iu paguhet edhe dëmshpërblim”, tha Arben Zeqiri, A.SH.