GazetaMax
Lajme

Autori i tre vjedhjeve me armë, shpallet në kërkim 30-vjeçari në Krujë

Një 30-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Krujës, pasi dyshohet se ditën e djeshme ka kryer tre vjedhje duke kërcënuar njerëzit me armë.

Sipas raportimeve, në kërkim është shpallur shtetasi E. N. (Ll.), 30 vjeç, banues në Mamurras, me precedentë të theksuar kriminal në disa fusha. 30-vjeçari është autori i cili ka vjedhur një taksi, shuma parash dhe sende personale.

Njoftimi i plotë i policisë:

Krujë/Zhvillohet operacioni policor i koduar “Ends”, për zbardhjen e 3 vjedhjeve të kryera dje.

Policia identifikon dhe shpall në kërkim 30-vjeçarin, si autor i dyshuar i 3 vjedhjeve me armë.

30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në disa fusha.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale automjeti i vjedhur taxi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Ends”, është zbardhur ky rast vjedhjeje dhe është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi E. N. (Ll.), 30 vjeç, banues në Mamurras.

Nga hetimet dyshohet se 30-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka vjedhur automjetin taksi me të cilin lëvizte, pasi ka kanosur me armë zjarri, drejtuesin e saj.

Më pas, dyshohet se ka lëvizur me automjetin e vjedhur në drejtim të qytetit të Laçit, ku në dy karburante, iu ka marrë punonjësve, shuma parash dhe sende personale, duke i kanosur ata, me armë zjarri.

Punohet për kapjen e 30-vjeçarit, për dokumentimin e këtyre rasteve dhe të vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.