Dy gjigantët e futbollit gjerman janë të pamposhtur, kanë nga 17 pikë dhe në Klassikerin e madh hyjnë të barabartë në krye të tabelës.
Bundesliga këtë fundjavë është në shenjën e Klassikerit, një prej rivaliteteve më të mëdha në futbollin evropian. Bayern dhe Borussia Dortmund përballen në Munih (ora 18:30).
Përballjes i jep një peshë të veçantë fakti se dy klubet më të mëdha të futbollit gjerman, pas një kohe të gjatë, takohen me pikë të barabarta në krye të tabelës.
Pas shtatë javëve, të dyja skuadrat kanë nga 17 pikë, ndërsa Bayern kryeson falë golaverazhit më të mirë.
Bavarezët kanë shënuar plot 25 gola, për dallim nga 12 të Borussia Dortmundit. Ky është një tregues domethënës, por të dyja skuadrat, përfshirë edhe ekipin e drejtuar nga Niko Kovaç, kanë dëshmuar se këtë sezon nuk do të jetë e lehtë t’i ndalë dikush.
Bayern hyn në sfidën më të madhe të deritanishme të sezonit pa trajnerin Vincent Kompany, i cili po rikuperohet pas problemeve shëndetësore që e detyruan të shtrohej në spital javën e kaluar.
Trajneri u lirua nga spitali të mërkurën, por do t’i duhet ende kohë për t’u rikuperuar plotësisht.
Për këtë arsye, skuadrën do ta drejtojë ndihmësi i tij, Aaron Danks, i cili tashmë ka treguar sukses në drejtimin e bavarezëve në Kupën e Gjermanisë, në fitoren 6:1 ndaj Magdeburgut.
Burimi: botasot.info
