Pak para protestës, blindohet kryeministria/ Mbi 2 mijë efektivë në terren!

Masa të forta sigurie janë marrë në kryeqytet pak para nisjes së protestës së sotme, ku pritet të bashkohen studentët dhe mbështetësit e tyre me Partinë Demokratike.

Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, ndërsa godina e Kryeministrisë është blinduar me forca të shumta policore.

Në gatishmëri janë vendosur gjithashtu autobotët me ujë me presion dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisura me mjete speciale.

Në planin e sigurisë janë përfshirë forcat Shqiponja, FNSH-ja, efektivë të komisariateve të Tiranës, agjentë civilë, si dhe dronë për monitorimin nga ajri të tubimit.

Tubimi i sotëm zhvillohet edhe nën efektet e aktit të ri normativ për protestat, i cili zgjeron kompetencat e policisë dhe parashikon sanksione administrative për shkelësit.

Burimi:botasot.info