Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim pune në Akademinë Evropiane të Berlinit me drejtorin e këtij institucioni, Dr. Christian Johann. Në fokus të diskutimit ishte e ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut.
Sali theksoi rëndësinë e integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian, duke nënvizuar se qytetarët dhe bizneset duhet të përfitojnë konkretisht nga ky proces edhe para anëtarësimit të plotë në BE.
“Integrimi gradual në tregun e përbashkët evropian duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset edhe përpara anëtarësimit të plotë. SEPA, roaming-u, lidhshmëria dhe mundësitë ekonomike janë hapa që e bëjnë perspektivën evropiane më të prekshme.
Anëtarësimi i plotë mbetet objektivi ynë. Ndërkohë, reformat dhe integrimi gradual duhet të ecin paralelisht, me rezultate të matshme dhe një proces zgjerimi të besueshëm e të bazuar në merita”, ka shkruar Bekim Sali.
Burimi: alfax.mk
