Frika nga sulmet me dronë, Britania forcon mbrojtjen e avionëve luftarakë

Forcat Ajrore Mbretërore të Britanisë (RAF) kanë nisur të zhvendosin avionët luftarakë në hangarë dhe strehimore të fortifikuara gjatë natës, për t’i mbrojtur nga kërcënimet e mundshme me dronë, përcjell Bota sot.

Sipas raportimeve, po shqyrtohet edhe vendosja e rrjetave kundër dronëve rreth avionëve që qëndrojnë të ekspozuar në pista apo baza ajrore me mbrojtje të pamjaftueshme. Masa të tilla përdoren gjerësisht edhe në Ukrainë për mbrojtjen nga sulmet ruse me dronë.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Britania po rrit masat e sigurisë, pas paralajmërimeve të MI5 dhe Ministrisë së Mbrojtjes për rrezikun e sabotazhit rus ndaj kompanive që furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake.

Ndërkohë, Irani dyshohet se ka planifikuar sulme ndaj bazës ajrore RAF Fairford në Gloucestershire, çka bëri që Pentagoni të largonte bombarduesit amerikanë nga kjo bazë.

Shefi i Forcave Ajrore Britanike, Air Chief Marshal Sir Harv Smyth, ka theksuar se RAF po përgatitet për skenarë konflikti ku avionët duhet të shpërndahen në disa lokacione në të gjithë Britaninë, për të shmangur përqendrimin e tyre në pak baza dhe për t’i bërë objektiva më të vështirë për sulmet e mundshme.

Burimi:botasot.info