GazetaMax
Lajme

Beogradi si zonë lufte! Përleshje mes protestuesve dhe policisë, qyteti në kaos

Protestat kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kanë vazhduar edhe mbrëmjen e kaluar në kryeqytetin serb, duke u shoqëruar me tensione të larta dhe përleshje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Sipas mediave vendase, përfshirë nova.rs, përplasjet më të ashpra ndodhën pranë Fakultetit të Drejtësisë, ku protestuesit hodhën fishekzjarre dhe mjete të forta, ndërsa në sfond dëgjoheshin goditje topash dhe shpërthime, duke e kthyer zonën në një skenë kaotike që ngjante me një zonë lufte.

Forcat policore, përfshirë brigadat e ndërhyrjes së shpejtë, u vendosën përgjatë Bulevardit “Mbret Aleksandër” dhe rrugëve përreth për të shpërndarë turmat dhe për të rivendosur kontrollin.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë të rinj me fytyra të mbuluara, të cilët përplaseshin me policinë në kryqëzime dhe rrugë të bllokuara. Situata u përshkallëzua me bllokimin e plotë të zonës së Vraçarit, ku pothuajse të gjitha rrugët ishin të pakalueshme.

Në rrugë shiheshin kontejnerë të rrëzuar, ndërsa qytetarët në disa momente ndërhynë vetë për t’i spostuar, për t’i hapur rrugën automjeteve të emergjencës, përfshirë ambulancat.

Protestat kundër qeverisë Vuçiq janë intensifikuar javët e fundit, të shoqëruara me kërkesa për dorëheqje, zgjedhje të lira dhe ndaljen e, siç thuhet nga opozita, “kapjes së shtetit dhe shtypjes së mediave të lira”.

Për momentin nuk raportohet për të lënduar rëndë, por situata mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet serbe nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për përplasjet e fundit.

Related posts

A do të tërhiqet Sali Berisha sikur Lulzim Basha

Gazeta Max

Kovaçevski-Val: Të gatshëm të kryesojmë me OSBE nga janari i 2023

Gazeta Max

“Më ka ndryshuar jeta”- Hija e krizës së refugjatëve në Europë 10 vjet pas! Rrëfimet: Foshnjat i mbanin në kuti picash

Gazeta Max