GazetaMax
Lajme

Berlini dhe Athina qëndrojnë pas perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor

Shkup, 28 tetor – Pas kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, e cila filloi turneun ballkanik nga Shkupi, mesazhi kryesor i së cilës është përkushtimi i BE-së për integrimin evropian të rajonit, mesazhe mbështetjeje për perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor mbërritën edhe nga kancelari gjerman Olaf Scolc gjatë vizitës së tij në Athinë.

Njëherit, zgjerimi i Bashkimit Evropian ka qenë një nga temat që ai ka diskutuar me kryeministrin grek, çështje për të cilën vetë Sholc ka thënë se është veçanërisht e rëndësishme për të, si dhe perspektiva evropiane e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, ashtu edhe e vendeve të rajonit.

“Kemi diskutuar edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian, perspektivën integruese të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, por çështja kryesore janë vendet e Ballkanit Perëndimor. Një perspektivë që u hap 20 vjet më parë në Selanik, kur u thamë këtyre vendeve se mund të bëhen anëtarë të BE-së. Ne të dy jemi veçanërisht të përkushtuar dhe dëshirojmë të promovojmë procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve”, tha Sholc në një konferencë të përbashkët shtypi në Athinë me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis, duke vënë në dukje se të dy duan të promovojnë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkani Perëndimor.

Javën e ardhshme, më 3 nëntor, në Berlin do të mbahet Samiti për Ballkanin Perëndimor. Nikoqir do të jetë kancelari gjerman Sholc dhe do të marrë pjesë edhe kryeministri grek.

Brukseli njoftoi dje se hapat e ardhshëm në procesin e BE-së me Maqedoninë e Veriut do të vendosen nga vendet anëtare. Zëdhënësi për punë të jashtme, Peter Stano, dje në konferencën e rregullt për gazetarë, ka kujtuar deklaratën e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, pardje në Shkup se “Maqedonia e Veriut meriton të ecë përpara” dhe të përparojë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Por përcaktimi i hapit të ardhshëm u takon vendeve anëtare”, tha Stano.

Maqedonia e Veriut mori hapjen e kushtëzuar të kapitujve të negociatave dhe konferencën e parë ndërqeveritare, me kusht ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në të. Ndërkohë, vendi mori një konferencë ndërqeveritare “politike” dhe duhet të përfundojë procesin e skriningut përpara se të hapë kapitujt dhe klasteret e procesit të negociatave.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje përsëriti se nga ne varet se sa shpejt do ta përfundojmë skriningun shpjegues dhe bilateral dhe sa shpejt do t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese.

Sipas Kovaçevskit, ndryshimet kushtetuese nuk janë çështje deklarate, por çështje procedurale dhe në atë procedurë marrin pjesë të gjithë aktorët politik në vend.

“Në atë procedurë marrin pjesë të gjithë aktorët politikë në vend, siç marrin pjesë partitë nga pozita, po ashtu edhe partitë nga opozita. Partitë që normalisht kanë parashenjë etnike marrin pjesë, të gjitha natyrisht që do të kenë pikëpamjen e tyre për ndryshimet kushtetuese në lidhje me atë që duhet të rregullohet në Kushtetutë”, deklaroi Kovaçevski në lajmet e Kanal 5.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, megjithatë dje ka përsëritur qëndrimin e partisë se nuk do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese në Kuvend me kushtet ekzistuese.
Mickoski tha më herët gjatë fundjavës se VMRO-DPMNE do të mbështesë ndryshimet kushtetuese vetëm nëse merr garanci nga BE-ja se vendi do të hyjë në Union dhe se gjatë procesit të anëtarësimit Bullgaria nuk do të vendosë veto të reja.

Partitë shqiptare, nga ana tjetër, kërkojnë që të hiqet nga Kushtetuta formulimi “gjuhë tjetër të cilën e flasin 20 për qind e popullsisë” dhe të përfshihet gjuha maqedonase dhe ajo shqipe.

U.d. kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dje shfaqi shpresën se ndryshimet kushtetuese do të kalojnë në këtë përbërje parlamentare dhe se kërkesa e tyre do të kalojë. Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, ai beson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme.

Related posts

Konferencë: Po bëhen përpjekje për zhvillim të familjeve të specializuara kujdestare

Gazetamax.mk

Biden bën paralajmërimin e madh

Gazetamax.mk

Scholz: Ballkani Perëndimor bën pjesë në Europë

Gazetamax.mk