GazetaMax
Lajme

Buja Aktashi, aktivisti i palodhur që rrugëtoi bashkë me Izet Mexhitin deri në fitoren historike në Çair

Në çdo betejë politike ka njerëz që qëndrojnë në vijën e parë, me përkushtim, vizion dhe besim të pathyeshëm. Një prej tyre është Buja Aktashi, aktivisti i palodhur i koalicionit qeverisës VLEN dhe anëtar i Lëvizjes Demokratike që nga dita e parë e themelimit, simbol i qëndrueshmërisë dhe i besnikërisë ndaj vlerave kombëtare e politike që përfaqëson kjo lëvizje.

Për gjashtë muaj me radhë, Buja Aktashi nuk njohu pushim. Me angazhim të pandërprerë 24/7, ai ndërtoi ura komunikimi me çdo strukturë të VLEN-it, mobilizoi të rinjtë, bashkëbisedoi me qytetarët e çdo lagjeje të Dyqanxhikut e gjithë Çairit dhe përçoi mesazhin e fitores me pasion e vendosmëri. Ai u bë një prej figurave kyçe që forcoi besimin e qytetarëve se ndryshimi i shumëpritur ishte i mundur dhe ky ndryshim ndodhi.

Rezultati i këtij përkushtimi u kurorëzua me një fitore historike, triumfin e Izet Mexhitit në garën për kryetar të Komunës së Çairit. Fitore kjo që shënon jo vetëm një kthesë për Çairin, por edhe një moment të ri për politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Mexhiti, si lider i pakontestueshëm i shqiptarëve, me vizionin dhe mençurinë e tij politike, dëshmoi se besimi dhe uniteti janë çelësi i çdo suksesi.

Buja Aktashi mbetet shembull i aktivistit modern, i përkushtuar, i drejtë dhe i lidhur ngushtë me idealin e përbashkët të VLEN-it, zhvillimin, dinjitetin dhe përfaqësimin e vërtetë të shqiptarëve kudo në Maqedoninë e Veriut. Ai është dëshmi e gjallë se pas çdo fitoreje të madhe qëndrojnë njerëz të mëdhenj, që me punën e tyre të heshtur bëjnë histori.