125-vjetori i lindjes së shenjtores shqiptare, Nënës Terezë, ka rikthyer vëmendjen tek mesazhet dhe vlerat që ajo la pas, jo vetëm si një figurë e shenjtë, por si një simbol universal i sakrificës, shërbimit dhe dashurisë për njerëzit. Me këtë rast, ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka ndarë një reflektim personal, duke kujtuar rolin që figura e Nënës Terezë ka pasur në jetën e tij – si mjek dhe si politikan.
Në një postim të ndjerë, Osmani zbulon se portreti i Nënës Terezë ka qenë pjesë e pandashme e zyrës së tij gjatë mandatit si ministër i Jashtëm. Ai shpjegon se, për të, ky portret nuk ishte vetëm zbukurim simbolik, por një kujtesë e përditshme e thelbit të shërbimit publik.
“Në jetën time si mjek, e sidomos në rrugëtimin tim si politikan, vlerat e Nënës Terezë kanë qenë gjithmonë udhërrëfyesi im. Dhimbja e njeriut si prioritet, thjeshtësia si forcë dhe shërbimi ndaj të tjerëve si nderi më i lartë,” shkruan Osmani.
Ai ndalet edhe në ndikimin që figura e saj ka pasur në momentet më të vështira të vendimmarrjes politike. Sipas tij, portreti i saj ishte një pikë reflektimi në çastet kur duhej zgjedhur mes interesit personal dhe përgjegjësisë kolektive.
“Shpesh, në çaste të vendimeve të vështira, shikimi im ndalej te portreti i saj. Dhe gjithmonë më kujtonte se politika nuk është për lavdi personale, por për të mirën e përgjithshme. Se pushteti nuk është qëllim, por mbi të gjitha përgjegjësi.”
Osmani nënvizon se Nëna Terezë ka qenë dhe mbetet një dritë frymëzuese në kohë kur vlerat njerëzore shpesh zbehen përballë ambicies apo interesave të ngushta politike. Ai e cilëson atë si “zëri i të padëgjuarve” dhe “forcën e të pafuqishmëve”, duke vlerësuar rolin e saj në ringjalljen e humanizmit dhe solidaritetit në botë.
Në përfundim të mesazhit të tij, Osmani bën thirrje për reflektim kolektiv dhe për rikthim te vlerat që e bënë Nënën Terezë simbol të shenjtërisë në shërbim të njerëzimit.
“Le të na kujtojë fryma e saj çdo ditë se kemi detyrë të jemi më të mirë – ndaj vetes, ndaj tjetrit, ndaj atdheut.”
Kujtojmë se Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nëna Terezë, ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup dhe është një nga figurat më të ndritura që kombi shqiptar i ka dhuruar botës. Ajo është shpallur shenjtore nga Kisha Katolike për jetën e saj të përkushtuar ndaj të varfërve dhe të sëmurëve, si dhe për misionin e saj të jashtëzakonshëm humanitar që e zhvilloi në Indi dhe në mbarë botën.