GazetaMax
Lajme

Çfarë vështirësi hasin studentët si pasojë e krizës ekonomike në RMV?

Shkup, 13 dhjetor – Kriza ekonomike ka prekur çdo shtresë të qytetarëve, në mesin e shumë kategorive të rrezikuara janë edhe studentët si rinia më aktive në vend, të cilët janë të prekur dukshëm nga kriza ekonomike e cila për pasojë ka sjellë një ngritje marramendëse të pothuajse secilit produkt e secilit shërbim. Studentët janë ajo kategori e qytetarëve që janë në fazën në të cilën vetëm japin pa marrë në shkëmbim asgjë. Pra, për dallim prej të punësuarave që sado që ta kenë të vështirë sërish ia dalin dhe e kanë të përballueshme, për studentët mbase është edhe më vështirë sepse raporti vetëm dhënie tanimë veçse është vështirësuar edhe më shumë. Duke filluar nga çmimet e biletave në transportet që shfrytëzohen edhe nga studentët edhe nga qytetarët apo punëtorët e rëndomtë e deri te pagesat në Universitete dhe materiale studimore vërehet një dallim i jashtëzakonshëm me ngritje të hovshme të çmimeve, shkruan Zhurnal.

Vështirësitë që hasin studentët nga kriza ekonomike-

Të jesh student në Maqedoninë e Veriut është sfidë e dyfishtë, në të njëjtën kohë përballesh me probleme të shumta arsimore për sa i përket sistemit arsimor dhe cilësisë në arsim, ndërkaq në anën tjetër përballesh edhe me probleme të ndryshme për sa i përket mbulimit të shpenzimeve që kanë kosto të lartë. Fatkeqësisht, në këtë vend studentët nuk e kanë fatin e mundësinë që edhe të studiojnë edhe të punojnë, prandaj një pjesë e tyre pushimin veror e shfrytëzojnë për të punuar jashtë shtetit, që të kenë mundësi t’i mbulojnë shpenzimet e studimeve, e që tani janë shumëfishuar me krizën ekonomike.

Por, problemet e tilla veçse trashen dhe shtohen asesi nuk mënjanohen përderisa studentët qëndrojnë duarlidhur duke qenë subjektet kryesore, prandaj zëri studentor duhet të dëgjohet, duhet të dëshmohet se studentët kanë organizim fuqi dhe potencial të ngrihen në këmbë të kërkojnë e marrin atë që e meritojnë, madje studentët po deshën mund të rrënojnë edhe pushtete.

Rritja e çmimeve ka rritur edhe kostot e studentëve. Në Tetovë studentët ankohen se rritja e çmimeve e ka bërë edhe më të vështira studimet. Pos shpenzimeve për ushqim i papërballueshëm është bërë edhe pagesa e banesave që shfrytëzohen nga ana e tyre me qira, përgjatë kohës sa qëndrojnë në qytetin e Tetovës për t’i vijuar studimet e tyre.

Qyteti Tetovës është qytet i dy Universiteteve, prandaj vijnë studentë të shumtë nga qytete tjera por edhe nga vendet fqinje, të cilët jetojnë në konvikte apo banesa me qira. Shumica prej tyre janë të financuar nga prindërit për të vazhduar studimet, por rritja e fundit e çmimeve ka bërë që ata të kenë nevojë për më shumë para për të përballuar shpenzimet.

Pasi kemi të bëjmë me një rritje të çmimeve e cila është e gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse, kemi të bëjmë me një rritje të hovshme të çmimeve të banesave, rrymës, ushqimit të përditshëm, materialeve të duhura studimore e shumëçka tjetër, këto janë disa prej gjërave që janë të përditshme e mujore për sa i përket studentëve që duhet t’i bëjnë.

Studentët që studiojnë jashtë vendbanimeve të tyre e kanë edhe më të vështirë, sidomos ata që studiojnë në kryeqytet, Shkup, që kostot janë edhe më të larta, pra pagesë banese apo konvikti, ushqimi, rryma, veshmbathja, pagesat e semestrave, shpenzimet rrugore, materialet studimore, e shumëçka tjetër. Dhe, kur gjithë këtyre shpenzimeve ia bashkon edhe rrijten e çmimeve me të vërtetë studentët hasin në vështirësi të mëdha, saqë në të shumtën e rasteve janë edhe të papërballueshme.

Sa ndihmohen studentët nga shteti?

Studentët në Maqedoninë e Veriut nuk ndihmohen mjaftueshëm nga shteti, përpos kësaj janë parë edhe si shtresa të cilës në mes ët krizës ekonomike t’i zvogëlohen edhe pak ndihma që i jepen, disa bursa simbolike, dhe një vakt ushqimor prej 120 denarë në ditë, që me këtë subvencion studentëve u kërkohet të hanë një gjevrek dhe jogurt. Pa çka se një drek e politikanëve kushton 500 euro e më shumë varësisht disponimit të tyre.

Prandaj, ndihma ndaj studentëve në këtë kohë krize është e domosdoshme sepse nuk është dëshirë por është nevojë. E kjo mbase nuk vjen vetvetiu pa e kërkuar, prandaj studentët e Maqedonisë së Veriut këtë gjë veçse e kanë kuptuar dhe janë ngritur të bashkuar kanë protestuar dhe kanë kërkuar që asesi mos të ketë kufizime në shfrytëzimin e racionit ditor prej 120 denarëve si dhe të ketë një ngritje të ndihmave që ofrohen nga shteti proporcionalisht me ngritjen e çmimeve.

Çfarë pasoja prodhon kriza ekonomike te studentët?

Përpos vështirësive në përballimin e shpenzimeve, si pasojë kryesore, pasojë dytësore e që është shumë e dëmshme dhe prodhon rezultat të padëshirueshëm dhe katastrofal për vendin, është dëshpërimi i të rinjve dhe largim nga vendi. Duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër studentët detyrohen të ndërpresin studimet të largohen nga vendi, e disa të rinj tjerë fare mos t’i fillojnë studimet që menjëherë pas përfundimit të shkollave të mesme që janë obligative në RMV, të largohen nga vendi pa e kthyer kokën mbrapa dhe pa filluar fare me studimet duke qenë dëshmitarë të studentëve që kanë në familje apo shoqëri se me çfarë vështirësie përballen ata që studiojnë.

Edhe sektori ekonomik dhe ai social dëmtohen në mënyrë të drejtpërdrejt nga ikja e të rinjve. Interesimi i lartë i të rinjve e lë vendin pa fuqi punëtore. Kjo do të reflektojë edhe në ngadalësimin e ritmit të zhvillimit ekonomik. Tregues i lartë që edhe për gjatë kohë vendi do të ngec pa pasur ndonjë progres ekonomik. Përpos kësaj pasuria sociale do të shkojë drejt varfërisë me çka vendi do të përballet me krizën e pa parë më parë “mungesë banorësh”. /Zhurnal.mk

Related posts

Macron propozon një “paradhomë” për vendet që synojnë integrimin në BE

Gazetamax.mk

Mariçiq-Oberhuber: Mbështetje dhe bashkëpunim me GIZ në rrugën drejt BE-së

Gazetamax.mk

Kyçyk: Bullgaria edhe një herë duhet të rishikojë qëndrimin ndaj RMV-së

Gazetamax.mk