Negociatorët ukrainas të cilët zhvilluan takim sot në Turqi me ndërmjetësim të presidentit turk Erdogan kanë bërë disa propozime për palën ruse, ndër të tjera edhe mbajtjen e statusit neutral të Ukrainës karshi anëtarësimit në aleanca ushtarake siç është NATO dhe mospraninë e bazave ushtarake atje shkruan The Guardian duke cituar negociatorët ukrainas, transmeton Express.
Poashtu pala ukrainase ka propozuar që të ketë garantues të sigurisë nëse Ukraina sulmohet sërish, dhe sipas mediave të huaja në mesin e garantuesve hyjnë: ShBA-ja, Britania, Kina, Franca, Turqia, Izraeli, Polonia, Kanada dhe Italia.
Propozimet poashtu përfshijnë edhe konsultimet për statusin e Krimesë në afat 15-vjeçar i cili do të hyjë në fuqi vetëm nëse ka armëpushim të plotë.
Negociatori Oleksander Chaly tha në në televizionin kombëtar ukrainas se Ukraina do të jetë shtet neutral.
“Nëse arrijmë t’i konsolidojmë këto dispozita kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në gjendje të rregullojë realisht statusin e saj aktual si një shtet të asnjë blloku ushtarak dhe shtet jo bërthamor në formën e neutralitetit të përhershëm”, tha ai.
Ai tha poashtu se s’do t’i bashkohen ndonjë aleance ushtarako-politike.
“Ne nuk do të vendosim baza ushtarake të huaja në territorin tonë, si dhe nuk do të vendosim kontigjente ushtarake në territorin tonë dhe nuk do të hyjmë në aleanca ushtarako-politike”, tha Chaly.
Stërvitjet ushtarake në territorin tonë do të zhvillohen me pëlqimin e vendeve garantuese.
Negociatorët ukrainas thanë se kishte materiale të mjaftueshme në propozimet aktuale të Ukrainës për të garantuar një takim midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe liderit rus, Vladimir Putin, , duke shtuar se po prisnin përgjigjen e Rusisë.