Politikë Energjetike, dhe Dimitar Kovaçevski, anëtar i këtij Komisioni, morën pjesë në takim të Plenumit Parlamentar të Komunitetit Energjetik kushtuar disponueshmërisë së energjisë elektrike dhe integrimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, të organizuar nga Sekretariati i Komunitetit Energjetik, që u mbajt më 24 prill 2025, në Bruksel, në Parlamentin Evropian.
Përveç Delegacionit të Kuvendit, në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit nga parlamentet kombëtare të Palëve Kontraktuese të Komunitetit Energjetik, anëtarët e Komisionit për Industri, Kërkim dhe Energji të Parlamentit Evropian, përfaqësuesit nga Komisioni Evropian dhe nga Sekretariati i Komunitetit Energjetik.
Takimi theksoi mbështetjen për Palët Kontraktuese të Komunitetit Energjetik në integrimin e tyre në tregun unik energjetik. Kjo kërkon një sërë reformash dhe bashkëpunim më të madh midis parlamenteve, ministrive, sektorit joqeveritar, biznesit dhe konsumatorëve. Parlamentet kombëtare luajnë rol të rëndësishëm në procesin e integrimit të tregut unik energjetik duke miratuar legjislacionin e nevojshëm. Edhe pse është arritur përparim, qasja në energjinë elektrike për familjet në nevojë sociale ende përbën sfidë. Palët Kontraktuese të Komunitetit Energjetik duhet të lëvizin gjithnjë e më shumë drejt përcaktimit të çmimeve të energjisë elektrike të bazuara në treg, në vend që t’i vendosin ato në nivel më të ulët nga trupat rregullatorë.
Lidhur me burimet e rinovueshme të energjisë, u vu re përdorimi në rritje i burimeve të rinovueshme në Palët Kontraktuese. Komuniteti Energjetik ofron një sërë mekanizmash për të mbështetur vendet në rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë. Përveç energjisë të fituar nga era dhe dielli, nevojiten gjithnjë e më shumë investime në burimet e energjisë gjeotermale që Evropa të bëhet e pavarur nga ana e energjisë. Në periudhën e ardhshme, duhet të bëhen investime të konsiderueshme në ndërtimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë së tepërt.
Në takim mbajti fjalim edhe deputeti Bojan Stojanoski. Ai vuri në dukje se ligji i ri për energjetikë është aktualisht në procedurë parlamentare. Miratimi i tij krijon parakusht ligjor për zbatimin e rregullave të harmonizuara ndërkombëtarisht të përcaktuara për shkëmbimin tejkufitar të energjisë elektrike dhe gazit, pjesëmarrjen dhe lidhjen me tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë elektrike dhe gazit, si dhe bashkëpunimin me palët e tjera kontraktuese të Komunitetit Energjetik dhe vendet anëtare të BE-së, me qëllim parandalimin, përgatitjen dhe menaxhimin e situatave të krizës në furnizimin me energji elektrike dhe gaz. Lidhshmëria energjetike është me rëndësi të madhe për të ofruar sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Për sa i përket energjisë elektrike, vendi ynë është i lidhur energjitikisht me të gjitha vendet fqinje përveç Shqipërisë, ku projekti i ndërtimit të largpërçuesit Manastir – Elbasan nuk është zbatuar ende. Sa i përket lidhjes me gaz, vendi është i lidhur vetëm me gazsjellës ndërlidhës me Republikën e Bullgarisë. Për të diversifikuar burimet e furnizimit me këtë energjens, shteti i është qasur projektit për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm në Aleksandropoli të Greqisë. Një kompani u zgjodh së fundmi për të ndërtuar ndërlidhësin e gazit midis dy vendeve.
Lidhur me kategorinë e konsumatorëve vulnerabilë dhe familjeve të prekura nga varfëria energjetike, Ligji i ri për energjetikë parashikon dispozitë sipas së cilës Qeveria, me propozim të Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, dhe sipas mendimit paraprak nga Ministria kompetente për mbrojtjen sociale, do ta detyrojë furnizuesin universal t’i furnizojë këto familje me çmime më të ulëta. Ligji i mëparshëm për energjetikë parashikonte gjithashtu programe për konsumatorët vulnerabilë dhe familjet e prekura nga varfëria energjetike. Muajin e kaluar, Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale shpalli konkurs publik për mbështetjen financiare për kategoritë e familjeve në nevojë sociale. Kjo masë, e cila do të zgjasë për një vit, u ofron mbështetje financiare këtyre familjeve duke ulur faturën e tyre mujore të energjisë elektrike.