Takimi i parë i MALMED-it dhe Odës së Farmacistëve me Ministrin e Shëndetësisë.
Zgjerimi i listës së shërbimeve që ofrojnë barnatoret, rritja e kompensimit për shërbimet farmaceutike, futja e recetës elektronike dhe implementimi i dosjes farmaceutike elektronike për pacientët – ishin temat kyçe në takimin e parë ndërmjet përfaqësuesve të Agjencisë për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore (MALMED) dhe Odës së Farmacistëve me Ministrin e sapoemëruar të Shëndetësisë, z.Azir Aliu
Në takim morën pjesë:
z. Sabri Aliti – Drejtor i MALMED-it
znj. Vesna Stavrova – Kryetare e Odës së Farmacistëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
znj. Maja Kovaçeva – Zëvendësdrejtore e MALMED-it si dhe
z.Ymer Ymeri – Anëtar i këshillit drejtues i Odës së Farmacistëve
Ministri Aliu u informua se që vitin e kaluar janë miratuar ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen Shëndetësore, të cilat mundësojnë zgjerimin e gamës së shërbimeve që mund të ofrohen në barnatore nga farmacistët. Po ashtu, janë përgatitur dhe dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë aktet nënligjore përkatëse, që përcaktojnë kushtet për hapësirat dhe pajisjet që duhet të kenë barnatoret për ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista e shërbimeve, e përgatitur nga Oda e Farmacistëve, tashmë gjendet në Ministri dhe është në pritje të nënshkrimit.
Sa i përket rritjes së kompensimit për dhënien e barnave me recetë, u ritheksua qëndrimi i hershëm se farmacistët – si profesionistët më të qasshëm në sistemin shëndetësor – duhet të shpërblehen në mënyrë të drejtë dhe proporcionale për përkushtimin dhe punën që bëjnë. Korrigjimi i kompensimit konsiderohet i domosdoshëm.
Duke pasur parasysh që digjitalizimi është e ardhmja edhe në sektorin e shëndetësisë, u theksua nevoja e qartë për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të integruar. Në këtë drejtim, futja e recetës elektronike u vlerësua si një hap shumë i rëndësishëm, i cili do të sjellë përfitime të mëdha – jo vetëm për farmacistët dhe mjekët amë, por mbi të gjitha për pacientët. Ky sistem do të mundësojë receta pa letër dhe sinkronizim automatik të softuerëve ndërmjet mjekëve dhe farmacive, si dhe përshtatje të menjëhershme me ndryshimet nga Fondi për Sigurime Shëndetësore.
Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e implementimit të dosjes farmaceutike elektronike për pacientët – një mjet që do të përmirësojë ndjeshëm komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet farmacistëve dhe mjekëve. Kjo dosje do të mundësojë ndjekjen e rregullt të marrjes së terapisë, vlerësimin e efektit të trajtimit dhe evidentimin e efekteve të padëshiruara – gjithmonë në interes të pacientëve.