Sot ka nisur procesi i lirimit të hapësirës pranë fushës sportive në fshatin Saraçinë, e cila i është rikthyer Komunës së Tetovës përmes procedurës së ekspropriimit. Lajmin e bëri të ditur këshilltari i VMRO-DPMNE-së në Komunën e Tetovës, Angel Karapetrov, i cili theksoi se ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të zgjidhjes së një problemi të kahmotshëm për banorët e këtij vendbanimi.
“Me këtë vendim, banorët e Saraçinës më në fund do të lirohen nga një problem i madh që i ka përcjellë për vite me radhë. Komuna e Tetovës ka arritur të rikthejë hapësirën në pronësi të saj dhe tashmë kjo zonë do të shndërrohet në një vlerë të shtuar për komunitetin,” – tha Karapetrov.
Sipas tij, hapësira e liruar nuk do të mbetet vetëm një terren i zakonshëm, por do të rikonstruktohet dhe do të transformohet në një qendër moderne trajnimi për klubet sportive të Tetovës, duke i ofruar mundësi më të mira për zhvillimin e sportit lokal dhe për të rinjtë e kësaj zone.
Një tjetër përfitim i madh për banorët është fakti se rruga që lidh dy pjesët e fshatit Saraçinë, e cila për një kohë të gjatë nuk ka qenë funksionale, tani do të vihet sërish në përdorim. Ky zhvillim do të lehtësojë qarkullimin dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës për banorët lokalë.
Ky projekt shihet si shembull i mirë se si përmes vendimeve të guximshme dhe me përfshirje të qytetarëve, mund të zgjidhen probleme të mëdha infrastrukturore dhe shoqërore.