GazetaMax
Lajme

Fitim Çaushi: Polifonia është shiptare dhe jo greke z. Vaso Tole dhe z. Pirro Prifti

Duke vuajtur nga megalomania dhe deliri për t’u rreshtuar ne elitën e lartë kulturore, llogaritari Timo Mërkuri, si një mercenar permanent, guxon dhe shpik identitete, për të legjitmuar gëlasat e Vasil Toles. Libri “Identiteti Iso-polifonik”, e konsideron “ison” si “pasaporta  e identitetit kombëtar të këngës sonë popullore. Ajo është vetë shpirti i këngës”.(Timo Mërkuri, “Identiteti Iso-polifonik”,Milosao 2018, f. 10)

Sipas megalomanit të dalldisur, shpirti i këngës tradicionale shqiptare dhe identiteti i saj, nuk qëndron më në përmbajtjen epiko-heroiko-lirike, në melodikën dhe psikologjinë e saj, por në blegërimat që formojnë “iso-polifoninë”, “munguar” prej shekujsh në polifoninë shqiptare dhe në vitin 2005, me futjen në UNESCO të “isopolifonisë” këngës shqiptare i “erdhi shpirti në vend”! Një marrëzi e tillë është më pak se padituri, sepse identitetet e kombit shqiptar, janë afirmuar qysh me krijimin e Shtetit të Arbërit, i cili në epokën e Rilindjes, fitoi tipare thelbësore, që përbënin kombin si: gjuha e përbashkët, territori i përbashkët, marrëdhëniet ekonomike të përbashkëta, faktori psikologjik dhe shpirtëror i përbashkët. Madje disa nga këto tipare thelbësore, kanë qenë pjesë e etnisë sonë qysh në antikitet.

Me këtë “Rosinant” të ngordhur, “Identitetin iso-polifonik”, megalomani Timo Mërkuri hidhet në veprim edhe kundër kompozitorit Aleksandër Peçi, i njohur në jetën muzikore të Shqipërisë dhe Europës. Mercenarët veprojnë dhe Tole bën sehir, si të ishte vërtet “kokë nga ato që ndrijnë për atdhe”(!) sikurse e ka konsideruar këtë mjeran, Timo Mërkuri. Të tilla hosana të diktuara, Mërkuri ia ka bërë edhe në gazetën “Telegraf”, 7 gusht 2014: ”Populli ynë duhet t’i jetë mirënjohës…birit të tij që ja prezantoi shkencërisht botës këtë pasuri të madhe, birit të tij me një emër të thjeshtë Vaso Tole”.

Cilin atdhe ndriçoi koka e Vasil Toles, Greqinë apo Shqipërinë, sepse në dy librat e Toles, Çamëria dhe tërë Epiri deri në Shkumbin, konsiderohen prej Toles si territore greke?! Duke e anashkaluar këtë diversion të Vasil Toles, Mërkuri pyet: ku e ka burimin ky lumë “llumi” që hidhet mbi punën dhe veprën e tij? (Vasil Toles) Çfarë prove, çfarë dokumenti ka artikullshkruesi dhe ata që qëndrojnë rreth apo pranë tij që të vërtetojnë akuzat ose së paku t’i mbrojnë ato që të mos quhen shpifje?”

Vetëm një karagjoz cirku bën ndërhyrje të tilla provokative, sepse Prof. Aleksandër Peçi në lektoriumin e dates 6 maj, në Hotel “Rogner”, analizoi provën më të madhe; librin e Vasil Toles “Odiseja dhe sirenat grishje drej viseve isopolifonike të Epirit”, e cili është futur në dosjen e UNESCO-s, ku trashëgimia shpirtërore e shqiptarëve, trajtohet si produkt i sirenave greke! Çfarë prove tjetër antikombëtare kërkon ky sejmen i Toles? Me këtë ndërhyrje, mercenari Mërkuri pranon diversionin e Toles, se polifonia shqiptare dhe ajo labe, e ka prejardhjen prej sirenave greke! Kjo është e pabesueshme!

Provë po aq e madhe, është shkrimi i dr. Zeno Jahaj në gazetën Panorama 17 maj 2023: “Polifonia greke “Carevan” ruhet vetëm në zonën e Epirit në Greqinë Veriperëndimore, e regjistruar në UNESCO në Listën përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të njerëzimit”. Për këtë polifoni të regjistruar në UNESCO si Kryevepër e Njerëzimit, studiuesi grek Nikos Dionisopulos më 6 tetor 1989, kumtoi në simpoziumin ballkanik të polifonisë organizuar në Tiranë: “Kushdo që studion këngën tradicionale greke, menjëherë e vërteton praninë e dy sistemeve të ndryshme muzikore. Të parin e hasim në Greqinë Kontinentale, në Steria, Epirius dhe Thesali…Për mendimin tim kjo është një polifoni primitive dhe rudimentale, një rast unik në një shumëllojshmëri të madhe melodish në këtë rajon. Në fund do të formulonim dy pyetje: A është rastësore që këto dy raste të polifonisë rudimentare në Karpathos, të lidhen me praninë e gajdes dhe ceremonisë së dasmës, dhe a janë këto, fenomene polifonike, apo janë dy raste pa implikime të mëtejshme si përjashtime më interesante të rregullës së monofonisë në muzikën lindore? (Kultura Popullore, nr 1, 1990, f. 94-96)

Interpretimi i studiuesit grek për polifoninë rudimentare në pjesën Epirit e ndodhur në Greqisë politike, e cila para Konferencës së Londrës 1913 ishte Shqipëri, na krijon edhe një tjetër dyshim serioz për Vasuil Tolen. Përse kjo polifoni rudimentare të ketë hyrë në UNESCO si polifoni, dhe polifoninë shqiptare, ekspresive, të magjishme, të pakrahasueshne me asnjërën në botë, Vasil Tole e prezantoi si “isopolifoni”, madje me djepin tek sirenat greke? Eshtë e njëjta lëndë muzikore dhe tradicionale, sikurse e kanë theksuar studiuesit shqiptarë që kanë bërë ekspediat në Greqi dhe vetë Çabej. Mbase megalomani Timo Mërkuri do t’i gjejë edhe këtij diversioni të Vasil Toles një “mbrojtje”.

Vasil Tole me ndërgjegje e ka trajtuar polifoninë shqiptare si derivat të polifonisë greke, prandaj e vendos djepin e saj tek sirenat greke. Një teori tepër e studiuar, prandaj nxitoi dhe e futi individualisht polifoninës hqiptare në UNESCO, duke përjashtur edhe dosjen e përgatitur prej prof. Beniamin Krutës.

Është e lehtë të bësh autoritarin dhe t’u bësh pyetje të tjerëve, por çfarë provash na sjell Timo Mërkuri dhe Vasil Tole, për prejardhjen e “isopolifonisë” shqiptare prej sirenave greke? Nëse do të kishte qoftë edhe një studiues që do të hidhte “llum” mbi Vasil Tolen, fare qetësisht Tole, pa ndërsyer mercenarët e tij, mund të prononcohej vetë dhe të na sillte një sirenë për të kënduar “isopolifoninë” e tij, dhe ne do t’i sillnim 20 grupe polifonike që nga Delvina, Vlora, Skrapari Gramshi. Kërçova e deri në Dibër, ku këndohet dyzërëshi, për  një koncert të përbashkët.

Ndoshta Timo Mërkuri do ta bind Vasil Tolen për të na sjellë një sirenë, ose do të shkojë vetë deri në Greqi, për të marrë sirenën “isopolifonike”, ndryshe Vasil Tole urgjentisht duhet të shkojë në UNESCO dhe ta ndryshojë emërtesën dhe gjenezën e polifonisë shqiptare prej këngës së sirenave. Ose Sirena të vijë në Akademinë e Shkencave dhe Ministrinë e Kulturës, ose ndryshimi në UNESCO, rrugë tjetër nuk ka. Vetëm kështu zgjidhet problemi dhe s’ka nevojë për lehjet e larove që bëhen mbrojtje e diversioneve të Vasil Toles. Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë, se trashëgima e tyre shpirtërore është e prejardhur prej sirenave greke, pra prej një populli tjetër, veç mercenarët e Vasos dhe ndonjë shërbëtor i ndonjë ambasade të huaj.

Pikërisht këtij problemi kyç, që analizoi kompozitori Aleksandër Peçi në Hotel “Rogner”, i shmanget Timo Mërkuri dhe ushtron ndaj kompozitorit dhe muzikantëve të tjerë, presionin e rrugës, sepse kjo taktikë mjegullon diversionet e Toles. Timo Mërkuri pranon të zhgarrëzyhet në llumin që e ka futur akademiku Vasil Tole, ndaj “konstaton” tek prof. Peçi “Një shtjellë mosdijesh dhe moskuptimesh” Megalomani i arithmetikës, konstaton “mosdije” tek muzikanti i skenave Europiane! Ku ka arritur Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave me heshtjen e saj për probleme kaq serioze të kulturës kombëtare!

Mërkuri këmbëngul: “Qysh në krye artikulli nis me një mungesë respekti për kolegun, kur shprehet:” Tole… është me dije të dyshimta mediokre dhe me alogjizma pa fund… kur i etiketon Sirenat greke dhe isopolifonia nis nga ato”. Çfarë mund të jetë tjetër Vasil Tole, veçse mediokër dhe mashtrues, që spekullon me polifoninë shqiptare dhe e trajton si produkt të sirenave greke,  produkt që e ka dokumentuar vetë Tole: “ ”Në lidhje me këtë veçori tingullore të sirenave, na vjen mirë të pohojmë, se ka një përqasje me mendimet më të përhapura mbi veçoritë e zërave këngëtorë të iso-polifonisë së shqiptarëve“(Odiseu dhe siranat…f. 15) Pseudoakademiku Tole krijon mendimin, sikur zërat “iso-polifonikë” të sirenave, janë krijuar në një territor tjetër, në Epir, nga një popull tjetër, por që “kanë përqasje” me “iso-polifoninë” e shqiptarëve, që ndodhen në një territor tjetër jashtë Epirit! Ndoshta Timo Mërkuri duhet ta dijë vendin, ku e ka dëgjuar tingullin e sirenave greke, akademiku Tole!

Timo Mërkuri nuk ka sy të lexojë se Akademiku Tole, polifoninë shqiptare e nxjer të lindur në djepin e sirenave greke: “Lidhja e udhëtimit nistor të Uliksti, me parashikimin e Tirezias, se ai do të ballafaqohej me sirenat, është tjetër dëshmi e lidhjes që kanë Sirenat dhe kënga e tyre, me prejardhjen dhe shtratin e vërtetë të dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë”.( Odiseu dhe sirenat …f.14) Përse “shqiptari atdhetar”, megalomani Mërkuri, e mbron prejardhjen e polifonisë shqiptare prej djepit të sirenave greke? Ka bindjen apo ka detyrën? Dhelpëritë e akademikut Tole janë shokuese: “Asgjë më shumë se muzika, iso-polifonike e Sirenave vajtore do t’i mësonte Uliksit këtë përmasë të tretë të shndrimit: vajtimin shumëzërësh iso-polifonik”( Odiseu dhe sirenat …f. 14)

Vallë nuk e kishte dëgjuar Uliksi ritin e lashtë të vajtimit nga gjyshja, nëna apo të afërmit e familjes epirote në ceremoniale vajtimi?! Vallë në truallin ku kishte banuar Uliksi, nuk kishte traditë artistike, etnografike dhe shpirtërore, por duhet t’ia mësonin sirenat?! Nëse kënga polifonike, do ta kishte djepin tek kënga vajtimtare e sirenave, problemi i origjinës së etnogjenezës së polifonisë dhe vendlindjes së saj, i shtruar ende sot prej etnomuzikologjisë botërore, do të ishte i zgjidhur dhe nuk kishte nevojë për studime e konferenca të shumta ndërkombëtare! E di akademiku Tole dhe Mërkuri gjendjen civile të sirenave? Për ta vulosur “shpikjen” anormale, akademiku Tole e njeson këtë gjenezë edhe për polifoninë labe: ”Zëri i Sirenave ishte i veçantë për shkak të teksturës vajtimore iso-polifonike të tyre, veçori të cilën ende sot e gjejmë tek iso-polifonia labe, në ish trojet e Epirit të dikurshëm antik.”(Odisea dhe Sirenat… f.24-25)

Këtë çmenduri vetëm një i lajthitur si akademiku Tole mund ta pohojë dhe një mercenar si Timo Mërkuri mund ta mbrojë, sepse Tole, poemën nga e merr “isopolifoninë” e sirenave, e trajton greke: “Iliada” dhe “Odisea”, përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkon aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”.( Odisea dhe sirenat…f. 65)

Këtu fshihet diversioni i akademikut Tole, sepse personazhet që vajtojnë tek “Iliada”, na qenkëshin parahelenë dhe jo parailir! Përse mercenari Timo Mërkuri shqetësohet kaq shumë për Vasil Tolen, kur ai është ende gjallë, dhe nuk shqetësohet për autoktoninë e polifonisë shqiptare, sikurse u shprehën 70 intelektualë që morën pjesë në lektoriumin e prof. Peçit dhe disa qindra pjesëmarrës në simpoziumin e Shoqatës Labëria?!

Në mungesë të fenomenit sonor, akademiku Tole arrin kulmin e çmendurisë së tij: zbulon gjenezën e polifonisë shqiptare nga shpjegimet etimologjike: “Nga vëzhgimi etimologjik i emrave të Sirenave rezulton se Ligea është mbartëse e të qarit me dënesë, (me ligje, siç e themi ne e që lidhet aq ngushtë me vajtimin), Thelxipea është magjiplotë, Aglaopea e veçantë dhe Peisinoe e bindur. Mbështetur në një përqasje të këtyre veçorive etimologjike, duket se gjejmë në tiparet e tyre, tashmë si këngëtare, edhe një rreshtim strukturor të ngjajshëm me strukturën e vendosjes së zërave në iso-polifoninë popullore shqiptare. Më konkretisht të zërit të parë Marrësit si magjiplotë, II, Kthyesit si të veçantë dhe të zëriz të III, Isos, e cila s’është gjë tjetër   veçse zëri i së bindurës Peisione.”(Odiseu dhe sirenat…f. 37.)

A mund të vlerësohet një gjini muzikore nga shkronjat e alfabetit, ndërkohë që duhet medoemos tingulli muzikor?! Vërtet Timo mercenari beson se struktura e këngës polifonike shqiptare vjen prej shkronjave të emrave të sirenave greke! Çfarë dokumentesh të tjera i kërkon Timo megalomani,  kompozitorit të shquar Aleksandër Peçi? Duam ta pyesim: me sa zëra kanë kënduar sirenat z. Mërkuri?

Përkundër Vasil Toles që e prezanton Uliksin si etnitet grek, Prof. Çabej sqaron: “Në artikullin e tij “Gjendja e sotme e studimeve ilire”, Karl Keren, shënon se prehistoriani gjerman Carl Schuchardt shikon te Odiseu “Ilirinë e vërtetë”, sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe dallohet “me urtësinë dhe e me gjakun e ftohët të tij” prej heronjve të tjerë të Iliadës: Gjithçka te Odiseu është detari, gjithçka lot në Mesdheun perëndimor, gjithçka është mënyrë jetese dhe legjendë ilire”.(Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Rilindja 1975, f. 100)

Përse e ngatëron Vasil Tole këngën e popullit shqiptar me sirenat greke? Për padituri apo për shërbime speciale?!  Timo Mërkuri, i fryrë me delire, kopjon justifikimin e Toles në emisionin e Mustafa Nanos: “Termi i përdorur në çertifikimin e bërë nga UNESCO të këngës polifonike me iso, si kryevepër shpirtërore e njerëzimit, ku teksti ishte: “Albanian folk iso-poliphony”, që e përkthyer në shqip do të thotë: “Polifonia popullore shqiptare me iso”.

Ky justifikim i trashë dhe mashtrim i opinionit, është diskretitim, jo vetëm për Tolen, por edhe për merecenarin e tij Mërkurin, sepse Vasil Tole në dy librat e tij; “Sirenat dhe isopolifonia në Epir” dhe “Pse qajnë kuajt e Akilit” emërtesën “isopolifoni” e ka përdorur 118 herë” Këto janë shkruar shqip, pa përkthim, si “isopolifoni” jo si polifoni me iso! Çfarë i detyron sot, të mashtrojnë Vasil Tolen dhe Timo Mërkurin, se gjoja në UNESCO, është futur emërtesa “polifoni me iso”, e ngatërruar nga përkthimi anglisht! Nëse na qenkërka ngatërruar emërtesa, pse nuk ka vrapuar Tole të bëj korrigjimet e nevojshme? Nuk shkon Vasil Tole të bëj korigjimet, se nuk e lejon padroni.

Mërkuri “bën përpjekje” të futet edhe në elemente shkencore të dosjes në UNESCO: “U paraqit fotografimi i një faqe sejti të UNESCO-s ku shkruhej tekstualisht:  “Termi iso ka lidhje me ison-n e muzikës kishtare bizantine… këtu nuk bëhet fjalë për origjinën e këngës, por për shpjegimin e “termit” iso si “term”, si fjalë”. Mërkuri ka paditurinë, se në dosjen e UNESCO-s, nuk futen shpjegime fjalësh, futen vlerat artistike dhe origjinale të një populli. Në UNESCO është shkruar ekzaktësisht: “prejardhjen e “isopolifonisë “ nga kori kishtar bizantin dhe nga sirenat greke”, dhe më poshtë, “Termi ‘iso’ i muzikës tradicionale polifonike shqiptare lidhet me isonin e muzikës kishtare bizantine.” Këtu kemi një shpërdorim të të detyrës nga drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Shpirtërore në Ministrinë e Kulturës, një falsifikim flagrant, sepse Polifonia Shqiptare nuk vjen nga kori i kishës bizantine dhe as nga sirenat greke.

Studiuesi italian Lorenco Tardo, ka pohuar traditën e lashtë tek arbëreshët: “Meloditë liturgjike në kompleksin e tyre të përgjithshëm i përkasin mbarimit të shek XIV dhe fillimit të shek XV, sepse shqiptarët morën me vete… një traditë provinciale dhe arkaike, një traditë, që duke qenë ruajtur në 400-tën dhe 500–ën, rrjedh nga koha e bazilejve e ndofta nga një kohë edhe më e lashtë”( Lorenco Tardo, “L’antica melurgia  bizantina” Grotta-ferrata, 1938 f. 111) Duke e çuar djepin e polifonisë në kohën e bazilejve shek IV-V të erës sonë, e ndofta edhe në një kohë më të lashtë, studiuesi italian i etnomuzikologjisë, e ka përjashtuar ngjajshmërinë me isonin e korit kishtar bizantin, spse isoni bizantin ka lindur disa shekuj pas këngës shqiptare. Përse duhet ta fuste Vasil Tole këtë element kompromentues për polifoninë shqiptare në UNESKO? A nuk kanë të drejtën studiues, muzikantë dhe qytetarë të thjeshtë t’i kontenstojnë këto veprime diversioniste të Vasil Toles? Kanë, se janë qytetarë të këtij populli, por nuk i lë megalomani dhe mercenari Timo Mërkuri me shokë.

Prof. Ramadan Sokoli qysh në Konferencën parë të Studimeve Albanologjike në nëntor 1962, e ka saktësuar:  “Meqënëse në muzikologji mbizotëron mendimi se grekët dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngë polifonike, është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës  ballkanike është me prejardhje të lashtë, e mbijetuar deri në kohën tonë, apo kemi të bëjmë me diçka të ardhur! Disa hulumtues e kanë kundruar polifoninë popullore të kësaj siujdhese, si rrjedhojë e ndikimit të liturgjisë bizantine, por ky hamendësim as është vërtetuar as është miratuar, madje është pohuar e kundërta: huazimet e liturgjisë kishtare nga traditat popullore”. Për këtë prof. Sokoli ka shkruar: “Polifonia popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike,  nuk ka ndonjë lidhje morfologjike  me literarurën bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike. Vetë tiparet origjinale të polifonisë sonë dëshmojnë se është trashëgimi e një tradite  të lashtë që ka lindur këtu në vend.”(Konferenca er parë Albanologjike, Tiranë 1965, f. 334)

Sikundër shihet, Debatet për prejardhjen e këngës polifonike nga muzika bizantine qenkan bërë qysh në vitet ’50-’60 dhe profesori e ka sqaruar përfundimisht problemin, përse Tole duhej ta shtrinte këtë problem, kur nuk ishte e domosdoshme, deri në UNESCO, sepse ajo trajton vlerat e kulturës së shqiptarëve dhe jo ngjajshmëritë e elementëve të saj të veçanta me kulturat e popujve fqinj? Kush ia kërkoi këtë ngjajshmëri të isos shqiptare me isonin bizantin, Vasil Toles?

Një studiues i huaj i referohet prof. Beniamin Krutës: “Një fakt i rendësishëm që e bën kompleks problemin e gjenezës së burdonit dhe ne të njëjtën kohë i vë një pikëpyetje ekzistencës së tij herët në këngën bizantine, është kënga polifonike e kishës ortodokse të arbëreshve të Italisë, e cila me gjithë lashtësinë e saj, nuk e njeh ison. Melurgjia liturgjike bizantine, të paktën deri në shek. e XIV, kohë në të cilën nisin emigrimet arbëresheve për në Itali, ne truallin jugor të Shqipërisë zhvillohet pa iso-n”. (B. Kruta 1991, 68-9)

Sikundër shihet, “iso” e polifonisë shqiptare nuk ka lidhje me “isonin” e korit kishtar bizantin. Përse u ngatërrua Vasil Tole, kur e kishte këtë pasuri shklencore nga profesorët e tij, sepse Beniam  Kruta ka dhënë lëndën e etnomuzikologjisë në Institutin e Lartë të Arteve dhe ka marrë pjesë në 35 ekspedita studimore nga Kosova, Maqedonia e deri tek arbëreshët e Italisë.

Sokol Shupo, në përgjigjen që i ka dhënë Vasil Toles në vitin 2004, përmes studimit “Etnomuzikologjia shqiptare në udhëkryq”, shkruan: “Mund të besojmë, se pavarësisht nga shkrimi, koncepti i isonit është më i lashtë se sa shek IX. Bëhet fjalë për neumën që quhet ison dhe jo për praktikën e isonit…ngjajshmëria e termit ison me termin popullor iso, është fare e qartë dhe këtë gjë e kanë venë re të gjithë etnomuzikologët, por ngjajshëria e termit nuk do të thotë patjetër edhe ngjajshmëri e dukurisë, dhe këtë gjë e ka shpjeguar mirë B. Kruta. Të dy “tezat” e mësipërme të Z. Tole, fshehin poshtë tyre një të tretë – tezën që termi iso Shqipëri vjen e përdoret i filtruar përmes kulturës dhe gjuhës greke”. (Panorama, 4-5 maj 2023)

Iso e polifonisë shqiptare nuk ka asnjë lidhje me isonin e muzikës kishtare bizantine dhe nuk ishte e nevojshme që Vasil Tole ta nënvizonte këtë ngjajshmëri! Përse Vasil Tole nuk u mbështet tek studjuesit shqiptar për të përgatitur dosjen, por iu rerferua studiuesve të korit kishtar bizantin? Polifonia shqiptare është pasuri shpirtërore e tërë popullit shqipar dhe si e tillë ka fituar anonimatin. Askush nuk mund ta përvehtësojë dhe ta falsifikojë atë. Askush nuk e ka caktuar Vasil Tolen për ta falsifikuar dhe përvehtësuar këtë pasuri të shenjtë, për të bërë me të çfarë të dojë, sikur ta kishte pronë private, pavarësisht, se ai diti ta fshihte diversionin e tij kundër kulturës popullore shqiptare me bujën marramendëse të “Kryeveprës botërore”! Populli shqiptar donte ta gëzonte kulturën e tij si kryevepër botërore në vlerën e saj origjinale, si produkt i popullit shqiptar, jo si prodikt i sirenave greke. Edhe sa vjet do ta mashtrojë Vasil Tole popullin shqiptar?!

Sado që megalomani Timo Mërkuri përpiqet ta fshehi Tolen nga mëkati antikombëtar, atë e nxjerr zbuluar harta e “isopolifonisë” me shtrirjen deri në Shkumbin, botuar tek libri “Odisea dhe sirenat, grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit”. Për këtë fakt, në një postim në WatsApp lexojmë: “Bejleri i Himarës dhe Bejleri i Akademisë së Shkencave, nxorën në shesh një zë shtrige që pickon  polifoninë e këngës.  Harta e Bejlerit  është e njëjtë me atë të Vasil Toles…kufijtë e Vorio-Epirit…Alogjizma merimangash  të një gjëmbaçi  isopolifonik për dashurinë  helenike”.

Përfshirja e “iso-polifonisë” greke deri në Shkumbin, në hartën e përpiluar nga akademiku Tole, dëshmon, se akademiku Tole është vënë në shërbim të politikave shoviniste!  Populli është indjeshëm ndaj këtij problemi dhe sado që Vaso Tole të ndërsejë kundër studiuesve dhe muzikantëve taborët e tij prej mercenarësh, nuk ka për t’i mposhtur me fjalë rrugësh. Timo Mërkuri nuk haron të përmend edhe “Kodin Europian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor”, duke e aktualizuar: “Vendi ynë gjithmon “belanë” e ka gjetur nga ca shqiptarë, të cilët ndaj atdhetarëve që kanë arritur suksese, nisin e këndojnë një këngë të tipit të meskinëve”. “Analisti” i sociologjisë shqiptare, Mërkur megalomani, megjithëse manifeston frymë të theksuar meskine, akuzon të tjerët për atë që e ka vetë me tepricë. Etnomuzikologu Siro Shituni për Tolen ka shkruar: “Ai erdhi me një varg deklaratash të tejskajshme, të cilat, janë, në radhë të parë, sa profesionalisht të gabuara, aq edhe moralisht të shëmtuara… mohues i tërë veprimtarisë kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të kryer nga studiuesit etnomuzikologë shqiptarë të mëparshëm, të vdekur ose të gjallë.”

 Mërkuri luan lojën e batakçiut dhe nuk pranon, se ka qenë Vasil Tole që ka shkelur etikën. Fakti se askush nuk po i del Toles në mbrojtje nga “bashkëpërgatitësit” e dosjes, vërteton se dosjen e ka përgatitur vetëm Vasil Tole.

Ajo që e prezanton Tolen me të vërtetë mediokër, është koncepti i tij antikombëtar: “Iso-polifonia jonë popullore duhet konsideruar ashtu siç është: një fenomen elitar i të menduarit muzikor  shqiptar e më gjerë” (Folklori muzikor 1, f. 16) Për Vasil Tolen, krijimtaia shpirtërore e shqitarëve të Shqipërisë së Jugut që këndojnë “isopolifoninë” na qenka elitare, ndërsa krijimtaia shpirtërore e shqiptarëve të Shqipërisë së Veriut, që këndojnë monofoni, na qenka jo elitare…për mos thënë atë që aludon Vasil Tole. Nisur nga teza e tij se ”isopolifonia” është krijimtari e sirenave greke, pra e popullit grek, për analogji na del se populi grek është elitar, ndërsa shqiptarët janë jo elitar! Në këtë llum ka përfunduar edhe megalomani Timo Mërkuri.

Related posts

Petkov: Marrëdhëniet Sofje-Shkup mos të shihen nga perspektiva e një incidenti

Gazetamax.mk

Një pjesë e Karposhit dhe Sarajit nesër pa energji elektrike

Gazetamax.mk

Dizeli është liruar, prodhuesit paguajnë rrymë të lirë, por çmimet nuk ulen

Gazetamax.mk