GazetaMax
Lajme

FIZHT me thirrje të re publike për të rinjtë ” Sfida për hulumtuesit e rinj 5″

Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik shpalli sot thirrje të re publike “Sfida për hulumtuesit e rinj 5 – Projekte të Gjelbërta” e destinuar për nxënësit nga i gjithë vendi, qëllimi i së cilës është të inkurajojë të menduarit kreativ tek të rintjë dhe të mbështesë projektet hulumtuese bazuar në metodë shkencore.

Thirrja është e destinuar për të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme, të cilat mund të aplikojnë me projekte hulumtuese nga fusha e shkencave natyrore dhe teknike, të organizuara në ekipe prej pesë deri në dhjetë nxënës dhe të udhëhequr nga një deri në dy mentorë. Procesi i hulumtimit duhet të bazohet në “metodë shkencore”, respektivisht të përfshijë formulimin, testimin dhe konfirmimin/modifikimin e hipotezës me anë të eksperimentit dhe vëzhgimit, ndërsa rezultatet e projektit hulumtues duhet të jenë të zbatueshme në ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor dhe të biodiversitetit.

“Përmes kësaj thirrjeje duam të potencojmë se çdo nxënës ka mundësi të përfshihet në procesin e aktiviteteve hulumtuese. Besoj se është e nevojshme t’u jepet mundësia të rinjve për të nxitur të menduarit kreativ, potencialin e tyre që posedojnë, por edhe mbështetje në zhvillimin e zgjidhjeve inovative për probleme të caktuara me të cilat po përballemi. Jam veçanërisht i kënaqur që FIZHT po zbaton për të pestën herë radhazi, Sfidën për Hulumtuesit e Rinj, përmes së cilës deri më tani kemi mbështetur mbi 100 projekte shkollore dhe mbi 700 nxënës dhe mentorë”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Halili shtoi se pret interesim të madh për thirrjen, si edhe më parë, dhe inkurajoi të rinjtë që të aplikojnë dhe bashkërisht të krijojmë projekte të suksesshme që do të kenë ndikim pozitiv në ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor.

Fondi i përgjithshëm për këtë sfidë është 3 milionë denarë, ndërsa shpërblimet do të ndahen në dy kategori, projekte hulumtuese për arsimin fillor dhe projekte hulumtuese për arsimin e mesëm. Buxheti maksimal për propozim projekt individual nuk duhet të kalojë 200.000 denarë. Për mësimdhënësit të cilët do t’i udhëheqin ekipet e nxënësve, do t’ju sigurohet shpërblim në vlerë prej 30.000 denarë, të dedikuara për të blerë pajisje digjitale, që do të jetë e aplikueshme në procesin mësimor.

Inkurajohen posaçërisht projektet që kanë karakter ndërdisiplinor, parashikojnë një qasje gjithëpërfshirëse në formimin e ekipeve, gjegjësisht kanë përfaqësim të barabartë gjinor, përfshijnë fëmijë të etnive të ndryshme, fëmijë me nevoja të veçanta, fëmijë të moshave të ndryshme dhe të ngjashme si dhe projekte të dorëzuara nga shkolla të zonave rurale.

Aktivitetet e parashikuara në propozim-projektin duhet të korrespondojnë me aktivitetet hulumtuese dhe zhvillimore, respektivisht propozim-projekti duhet të përfshijë aktivitete që do të testojnë hipotezën e definuar përmes eksperimentit dhe vëzhgimit.

Çdo projekt-propozim që do të arrijë në kuadër të thirrjes publike do të vlerësohet sipas cilësisë së projektit, zbatueshmërisë së rezultateve të hulumtimit, pajtueshmërisë së projekt-propozimit me qëllimin e thirrjes publike dhe kapacitetit të ekipit të projektit.

Të gjithë të rinjtë entuziast që kanë ide dhe ambicie, duhet të dorëzojnë projekt-propozimet e tyre deri më 02.11.2022, ora 14:00. Për të mbështetur ekipet në procesin e përgatitjes së projekt propozimeve, FIZHT do të organizojë më shumë sesione informative. Të gjitha informacionet shtesë në lidhje me thirrjen mund t’i merrni në: https://fitr.mk/sq/sfida-per-hulumtuesit-e-rinj-5-projektet-e-gjelberta/

Related posts

Në Krushevë dukshmëri e zvogëluar për shkak të mjegullës deri në 20 metra

Gazetamax.mk

Aktori dhe modeli Avni Selimi gjen dashurinë dhe bëhet baba

Gazetamax.mk

Tearca i ngelet besnik vizionit të Ali Ahmetit, Shaban Memeti udhëheqës i shtabit të BDI

Gazetamax.mk