GazetaMax
Lajme

Haxhiu shkon për vizitë në Hagë, por nuk është e sigurt nëse Thaçi e Veseli do ta pranojnë në takim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se me Hashim Thaçin e Kadri Veselin kanë probleme politike të pasluftës, derisa thotë se nuk ka vërejtje për ta për kohën e luftës.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Derisa ende nuk dihet një datë se kur do të nisë procesi gjyqësor ndaj tyre, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ish-eprorët e UÇK-së vizitohen kohë pas kohe nga bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e shtetit.
Një vizitë e tillë është paralajmëruar edhe nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu në Telegrafi.com ka thënë se ajo ka kërkuar takim me të gjithë ata që po mbahen në Hagë.
“Nuk mund të them me siguri se do t’i takojë të gjithë, pasi që zoti Thaçi e Veseli kishin refuzuar t’i takonin përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë gjatë një vizite që këta të fundit kishin pasur në Hagë”.
Haxhiu thotë se për gjithçka nga këto takime do të informojë publikun derisa thotë se ditën e hënë mund të ketë apo jo konfirmime të takimeve me ish-eprorët e UÇK-së.
Ministrja e Drejtësisë thotë se megjithatë ajo me Thaçin e Veselin kanë probleme politike të pasluftës, derisa thotë se vlerëson kontributin e tyre në luftë.
“Me Thaçin e Veselin kemi probleme politike të pasluftës. Tek e fundit ata janë ushtarë të UÇK-së, për çka ne i përkulemi kontributit të ushtarëve të UÇK-së që Kosova sot të jetë e çliruar dhe e pavarur…Asnjëherë nuk i kam kritikuar ata për kohën e luftës. Problemet tona politike nuk më bëjnë që unë të mos bëjë kërkesë për takim me ta”, deklaroi tutje Haxhiu.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS-ja) ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.
Ata po akuzohen se si drejtues të UÇK-së, gjatë luftës në Kosovë kanë kryer krime kundër njerëzimit.
Aktakuza pretendon se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Related posts

Grip i shpendëve edhe në Lushnje? Ngordhin 60 pula në një fermë në Grabian

Gazetamax.mk

Kovaçevski me Këshillin e Ambasadorëve: Mbështetja e politikave në të mirë të qytetarëve dhe shtetit

Gazetamax.mk

Vdekja e 26 vjeçarit në Suharekë, gjithçka që dihet deri tani

Gazetamax.mk