GazetaMax
Lajme

Iniciatorët e ndryshimeve në Kodin zgjedhor nuk heqin dorë nga Propozimi përkundër paralajmërimit për përgatitjen e ligjit të ri

Shkup, 10 maj – Pas paralajmërimit të sotëm të ministrit të Drejtësisë Nikolla Tupançeski se këtë javë fillon procesi i përgatitjes së Kodit të ri zgjedhor, një pjesë e propozuesve të ndryshimeve të Kodit ekzistues zgjedhor, që janë në procedurë parlamentare, në deklarata për MIA-n shprehen se nuk heqin dorë nga propozimi i tyre dhe kanë ndërmend të vazhdojnë me procedurën që zhvillohet në Kuvend.

Procedura që zhvillohet në Parlament për Propozim-ligjin për ndryshimin e Kodit ekzistues zgjedhor do të vazhdojë, shprehet për MIA-n kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, i cili është një nga iniciatorët e Propozim-ligjit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me të cilin parashikohet deputetët të zgjidhen sipas modelit proporcional pa prag zgjedhor ku shteti do të ishte një njësi zgjedhore.

“Absolutisht nuk kam ndërmend, e asnjë nga propozuesit nuk ka ndërmend ta tërheqë ligjin që është në procedurë parlamentare”, thekson Trajanovi.

Deputeti i së Majtës, Borisllav Kërmov, ka sqaruar për MIA-n se për momentin nuk planifikojnë ta tërheqin Propozim-ligjin për ndryshimin e Kodit zgjedhor, ndonëse partia pajtohet se ka nevojë për Kod të ri Zgjedhor.

“Ai Propozim-ligj që ne e kemi parashtruar mund të ndryshohet me amendamente ose nëse arrijmë deri te një zgjidhje që do të jetë e ngjashme, atëherë ajo zgjidhje mund të jetë e tërhequr dhe të merret parasysh zgjidhja e grupit punues që të gjithë do ta votojmë. Pra, kemi më shumë modele, mund të ketë ndryshime, por jo edhe tërheqje”, deklaroi Kërmovi.

Trajanovi, në deklaratë për MIA-n, shprehet se sot kanë pasur qëndrim të harmonizuar të partive në koordinim, kështu që pret shumë shpejt të fillojë debati në seancë plenare dhe në fazën e parë të kalojë propozim-ligji i tyre për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Më pas, siç sqaroi ai, do të ketë një diskutim publik ku Komisioni për sistemin politik do të përmbledhë mendimet publike e të gjitha partive politike, parlamentare dhe jashtëparlamentare, më tej nga ekspertët dhe vërejtjet që do të vijnë nga OSBE/ODIHR dhe Bashkimi Evropian dhe më pas do të shkohet në fazën e dytë, ku përmes amendamenteve me siguri do të ketë ndryshime apo përmirësime të mundshme të tekstit.

“Në thelb duhet të ketë reforma të rregullave zgjedhore, mes tjerash, duhet të hiqen edhe përparësitë sistematike që katër partitë e mëdha i kanë përfshirë në Kodin zgjedhor për financimin e partive, rreth prezantimit mediatik, ku 90% e kohës u takon katër partive, dy nga pushteti dhe dy nga opozita. Prandaj, kam parashtruar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese dhe pres që Gjykata Kushtetuese të fillojë debat dhe t’i shfuqizojë ato”, tha Trajanovi.

Sipas tij, ministri ka të drejtë të iniciojë grup pune, por siç tha ai, nuk beson se ka ndërmend ta bllokojë sërish ligjin apo ta zvarrisë miratimin e tij, meqë ai grup pune mund të punojë me vite dhe të mos bie dakord për asgjë dhe të mos bëjë asgjë.

“Ai sërish ua kthen topin partive, që ato të harmonizohen. Ky proces i harmonizimit të plotë të të gjitha partive nuk do të përfundojë asnjëherë”, konsideron Trajanovi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike shprehet se nëse do të ftohen të kenë përfaqësuesin e tyre në grupin e punës për përgatitjen e Kodit të ri zgjedhor, me siguri do të propozojnë dikë nga ekspertët.

“Por, ju them se grupi punues i përbërë nga partitë politike do të punojë shumë vështirë dhe do të pajtohet vështirë. Sidoqoftë, nuk do të pranojmë nëse sërish ky grup pune do të përbëhet nga përfaqësues të katër partive që do të bien dakord sërish të bëjnë rregulla zgjedhore që do t’u përshtaten vetëm atyre, nuk do të ketë sigurim të  garës së barabartë politike në mënyrë që të gjitha partitë të kenë kushte të njëjta fillestare për prezantim elektoral të programeve dhe të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me prezantimin e aktiviteteve të partive”, konsideron Trajanovi.

Kërmovi thekson se edhe e Majta do të pranonte pjesëmarrjen në grupin punues për përgatitjen e Kodit të ri zgjedhor.

“Pres që për grupin e punës të marrim ftesë dhe do të bashkëngjitemi. Tashmë kemi marrë pjesë në një grup të ngjashëm pune që duhej të miratonte Kodin zgjedhor para zgjedhjeve lokale. Do të pranojmë pjesëmarrje, absolutisht po, meqë vlerësojmë, njëjtë si ministri se ligje të këtilla të rëndësishme sistemore duhet të miratohet patjetër me konsensus veçanërisht nga partitë parlamentare”, theksoi Kërmovi.

Sipas Trajanovit, për Propozim-ligjin e tyre ka pëlqim të madh ose praktikisht, siç shprehet ai, janë afër mbështetjes konsensuale, meqë më shumë se 90 deputetë janë për ndryshimet.

“Mbetet vetëm edhe të shohim nëse përmes këtij debati, përmes fuqisë së argumenteve BDI-ja do të pranojë ndryshimin e rregullave zgjedhore.  Sidoqoftë, do të kemi mundësi që përmes diskutimit publik të ballafaqohemi me faktet, argumentet dhe do të shohim se si do të zhvillohet ky proces”, shprehet Trajanovi.

Sipas Trajanovit, nëse shkohet drejt pëlqimit konsensual nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament, atëherë pëlqimi i tillë nuk do të merret asnjëherë për ndryshime në Kodin zgjedhor.

“Nëse vetëm katër parti mendojnë të krijojnë konsensus, kjo është çështje krejtësisht tjetër, kjo sërish do të jetë në interes të tyre të kenë monopol në procesin zgjedhor dhe kjo do të thotë se do të vazhdojë ndryshimi i dy partive udhëheqëse politike në pushtet VMRO-DPMNE dhe LSDM, ndërsa partitë tjera të mos kenë çfarëdo mundësie në marrjen e vendimeve kyçe dhe vendimtare dhe Maqedonia do të vazhdojë të jetë e fundit në Evropë sipas të gjitha parametrave”, bën të ditur Trajanovi për MIA-n.

Kosova, konsideron ai, në shumë parametra tashmë po ecën përpara, për dallim prej nesh.

“Dy partitë më të mëdha kanë monopol praktikisht në të gjitha proceset në shtet dhe ndërrojnë njëra-tjetrën, ndonjëherë ndiqen me kallëzime penale, por e gjithë kjo është në dëm të demokratizimit të shtetit. Pra, një njësi zgjedhore është shpëtim për ardhmërinë e Maqedonisë. Gjithçka tjetër është politizim dhe mbrojtje e pozitave aktuale”, thekson Trajanovi.

Sipas Kërmovit, nga ana tjetër, nëse partitë shqiptare angazhohen për, siç tha ai, “demokratizim në procesin zgjedhor, e me këtë edhe në shoqëri”, do të pajtohen me vendosjen e një njësie zgjedhore.

“Do të shohim si do të jetë disponimi, mendoj se do të jetë e vështirë, por neve na takon të provojmë, mendoj se përqindja më e lartë është për një njësi zgjedhore, shumica e ekspertëve ose pothuajse të gjithë ekspertët janë dakord se kjo do të thoshte demokraci shumë më të madhe. Do të shohim se sa do të qëndrojnë në ato parime evropiane në të cilat bazohen partitë shqiptare, nëse tashmë bazohen në parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut, nuk do të kishin kurrfarë problemi”, tha Kërmovi.

Propozim-ligji për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me të cilin parashikohet që deputetët të zgjidhen sipas modelit proporcional pa prag zgjedhor me ç’rast shteti do të ishte një njësi zgjedhore, është iniciativë e deputetëve Pavle Trajanov nga LD-ja, Maja Moraçanin nga DOM, Monika Zajkova dhe Bobi Mojsoski nga PLD-ja, Ljupço Ballkoski nga VMRO-PP, Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov nga e Majta, Panço Minov nga LSDM-ja dhe tashmë ish-deputeti i DOM-it, Mirosllav Bogdanovski. Sipas propozuesve të ndryshimeve, me to do t’u mundësohet partive më të vogla që të “ushtrojnë të drejtën e tyre për përfaqësim”, secili deputet të ketë të njëjtën peshë, ndërsa përbërja e Kuvendit të jetë pasqyrim real i përcaktimeve të qytetarëve.

Ky Propozim ishte fillimisht në rend dite si pika e 58-të në seancën parlamentare që filloi më 18 maj të vitit të kaluar, por debati për të nuk filloi dhe ai mbeti i mbërthyer në procedurat parlamentare deri në aktualizimin e tij me vendosjen në rend dite të seancës së Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive më 22 mars të këtij viti, kur mori dritën jeshile për miratimin e tij.

Sipas procedurës parlamentare, Kuvendi duhet të vendosë për Propozimin në seancë plenare dhe nëse vendos se është i pranueshëm, pritet të organizohet debat publik ndaj ndryshimeve të propozuara, në të cilat do të mund të përfshihen të gjitha partitë, sektori joqeveritar, mediat dhe të gjitha palët tjera të interesuara, në mesin e të cilave edhe BE-ja dhe OSBE/ODIHR-i.

Mbështetja parimore ndaj ndryshimeve të propozuara dhanë edhe LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, ndërsa nga BDI-ja shprehen se janë të hapura për bisedime për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në bazë të argumenteve, në mënyrë që të arrihet një “konsensus më i gjerë ndëretnik, po edhe ndërpartiak”, por se nuk do të lejojnë të ” të vjen deri te majorizimi” gjatë miratimit të tij. Përballë kësaj, Aleanca për Shqiptarët janë kundër vendosjes së një zone zgjedhore, por është edhe kundër modelit aktual me gjashtë njësi zgjedhore, por propozon përcaktimin e njësive zgjedhore në bazë të tetë rajoneve të planifikimit.

Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski, sot në konferencë për media paralajmëroi se gjatë kësaj dhe javës së ardhshme do të fillojë procesi i përgatitjes për miratimin e Kodit të ri zgjedhor. Ideja, siç bëri të ditur ai, është që nga Ministria e Drejtësisë të nisë procesi i përgatitjes së Kodit të ri zgjedhor, që do të nënkuptonte përfshirjen e të gjitha rekomandimeve të faktorit ndërkombëtar, para së gjithash nga OSBE/ODIHR-i, mirëpo edhe vërejtjet e palëve të tjera të interesuara.

Gjatë kësaj jave, siç informoi ai, të gjithë palëve të interesuara do t’u dërgohet shkresë në të cilën do të ftohen partitë politike të marrin pjesë në përgatitjen e Kodit zgjedhor. Ai paralajmëroi se do të ftohen edhe palët tjera të interesuara, gjegjësisht organizatat joqeveritare, shoqatat dhe të gjithë ata që në njëfarë mënyre janë të lidhur me problematikën zgjedhore.

Sipas Tupançeskit, Kodi Zgjedhor është një nga supozimet themelore për një shoqëri demokratike dhe Ministria e Drejtësisë duhet të jetë maksimalisht transparente dhe gjithëpërfshirëse dhe t’i implementojnë vërejtjet që u përmendën në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare.

“Duam që procesi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës meqë bëhet fjalë për materie tepër të ndjeshme që mund të ketë një gamë të gjerë pasojash në kuptimin e asaj që quhet implementim i demokracisë në kuptimin më të gjerë të fjalës. Një nga rekomandimet e veçanta të faktorit ndërkombëtar ishte se do të ishte më së miri që Kodi zgjedhor të miratohet së paku gjashtë muaj para zgjedhjeve, sepse këto janë rregullat e lojës që duhet të respektohen.  Parakusht është segmenti i dytë, e ky është respektimi i parimit të konsensusit”, sqaroi Tupançeski.

Puna e grupeve punuese, sipas Tupançeskit, do të fillojë në interval shumë të shpejtë, të shkurtër kohor.

“Si do të duket modeli i sistemit politik përmes të cilit do të zgjidhen deputetët apo përfaqësuesit në shtet nuk do të varet nga unë si ministër, por nga grupi i punës, zgjidhjet e ofruara, idetë dhe argumentimi”, tha ministri.

Related posts

Izedin Hamdi është heroi që shpëtoi 17 persona nga zjarri në Francë, përfshi një foshnje

Gazetamax.mk

Ministri Sali pret në takim ambasadorin spanjoll, diskutohet bashkëpunimi për programin për transplant

Gazetamax.mk

Në një pjesëmarrje masive/ Festim Halili: Reçica e Vogël 1 zgjodhi Saqip Lokin për kryetar të Forumit Rinor

Gazetamax.mk