GazetaMax
Lajme

Ish-ministri polak i Drejtësisë merr azil në Hungari

Ish-ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Zjobro, njoftoi sot se i është dhënë azil në Hungari, të cilin e kërkoi pasi dyshohej për shpërdorim detyre në Poloni.

Ai tha se akuzat ishin të motivuara politikisht, raporton Reuters.

“Vendosa të përfitoj nga azili që më është dhënë nga qeveria hungareze për shkak të represioneve politike në Poloni”, shkroi Zjobro në platformën X, duke shtuar se edhe gruaja e tij ka aplikuar për azil.

Qeveria pro-evropiane e kryeministrit Donald Tusk ka premtuar të kërkojë të sjellë para drejtësisë figura të lidhura me ish-administratën e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) të akuzuara për akte të paligjshme, shkruan Reuters dhe shton se Zjobro, figura më e shquar që prokurorët kanë synuar deri më tani, akuzohet për keqpërdorim të parave nga Fondi i Drejtësisë, i destinuar për të ndihmuar viktimat e krimit, përfshirë blerjen e sistemit të sofistikuar të spiunazhit Pegasus.

Prokurorët thonë se kjo është përdorur kundër kundërshtarëve politikë vendas, ndërsa nga ana tjetër, Zjobro pretendon se është viktimë e një gjuetie shtrigash politike , sepse si prokuror i përgjithshëm ai nisi hetime kundër njerëzve të afërt me Tusk.

Polonia thirri ambasadorin hungarez të premten, pasi dolën raportime se Budapesti u kishte dhënë azil dy polakëve të paidentifikuar.

Në vitin 2024, Hungaria i dha azil ish-zëvendësministrit të drejtësisë në qeverinë e PiS, Marcin Romanovski, i cili u akuzua gjithashtu për keqpërdorim të fondeve publike, gjë që shkaktoi zemërim në Poloni.