Autoritetet italiane kanë konfiskuar superjahtin e një miliarderi rus, i cili është përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, pas pushtimit rus në Ukrainë.
Anija e quajtur ‘A’, i përket miliarderit rus, Andrey Igorevich Melnichenko, i cili ka edhe kompaninë EuroChem Group dhe atë të thëngjillit, SUEK.
Jahti, i cili besohet se ka vlerën e rreth 578 milionë dollarëve, është më i madhi në botë, ka thënë Qeveria italiane.
Zyrtarët policorë e kanë konfiskuar atë më 11 mars, ka thënë agjencia e lajmeve, ANSA.
Javën e kaluar, Policia italiane ka konfiskuar vila dhe jahte në vlerë të 156 milionë dollarëve nga pesë rusë të profilit të lartë, të cilët po ashtu janë sanksionuar nga blloku evropian.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Konflikti ka nxitur mbi 2.5 milionë refugjatë që të largohen nga shteti.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.