Një program konkret dhe pragmatik, i ndërtuar mbi disa shtylla, me vizion për 50 vitet e ardhshme, se si Çairi të bëhet një komunë urbane dhe një vend shumë më i mirë për jetesë për qytetarët, paralajmëron kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga Koalicioni VLEN dhe aktualisht zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Në një intervistë për MIA, Mexhiti thotë se besimin e qytetarëve për katër vitet e ardhshme do ta kërkojë me një masterplan, i cili do të ofrojë zgjidhje për qarkullimin në arteriet kryesore në Çair që njerëzit të lëvizin më lehtë, si dhe zgjidhje për gjelbërimin, trotuaret, urbanizimin… Ndërtime pa leje, sipas tij, nuk do të rrënohen, por do të vendoset moratorium për ndërtime të reja.
Çairi do të jetë komuna e parë pa mbeturina, ku të gjithë kontejnerët do të jenë nën tokë. Mendoj se kjo do të kontribuojë për një Çair shumë më të pastër e më të gjelbër.
Kemi vizion se si të zgjidhet plotësisht çështja e parkingut në Çair. Ka paralajmërime për 500 vende të reja parkimi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, 100 në Gazibabë dhe parkingje të reja në Çairçankë, te Plastiçarska, si dhe parkim me zona në disa pjesë të Çairit.
Çarshia e Vjetër e Shkupit tani është vendi më atraktiv, jo vetëm në nivel të Shkupit, por në nivel të gjithë shtetit. Tani është mirë, por mund të bëhet shumë më mirë. Kemi vizion dhe program edhe për Çarshinë e Vjetër.
Prej 1 shtatorit, dy shkolla fillore do të kalojnë vetëm me një ndërrim, dhe kjo do të jetë synimi ynë edhe për shkollat e tjera, me riorganizim dhe ndërtim të shkollave të reja.
Pres fitore absolute të VLEN-it në Çair – si për këshilltarët, ashtu edhe për kryetarin e komunës – dhe se beteja do të mbyllet në raundin e parë.
Në intervistë, Mexhiti zbulon gjithashtu se çfarë e motivon të kandidojë përsëri për kryetar komune dhe si planifikon ta transformojë Çairin në një komunë moderne, urbane dhe funksionale. Ai iu përgjigj edhe kritikave nga kundërkandidati kryesor, Bujar Osmani, duke sqaruar pse këto zgjedhje duhet të fokusohen te problemet dhe zgjidhjet lokale, e jo te temat kombëtare. Sipas tij, pret fitore absolute – si në Këshillin e Komunës, ashtu edhe në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar.
– Keni paralajmëruar hartimin e një masterplani për Çairin sipas shembullit të Stambollit dhe Bursës, bashkë me arkitektin Bajram Vardar. Çfarë më shumë mund të na zbuloni për këtë? Problemi më i madh është mungesa e parkingut dhe mbingarkesa në disa pjesë të komunës?
Sipas anketave dhe mendimit të qytetarëve, aktualisht dy gjërat më të rëndësishme për Çairin janë: parkimi dhe higjiena. Do të filloj nga e dyta. Në Çair kemi në katër lokacione kontejnerë nëntokësorë dhe në këtë periudhë do të vendosim edhe nëntë të tjerë. Por, kemi ide dhe plan që i gjithë Çairi të mos ketë më as plehra, as kontejnerë mbi tokë – gjithçka të jetë nën tokë. Kjo do ta bëjë Çairin komunë pilot, e para në Maqedoni, e para në qytetin e Shkupit ku do të realizohet kjo. Për përmirësim më tej, do të kontribuojnë edhe punonjësit socialë që i kemi, por mendoj se edhe udhëheqja e re e qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjeve publike do të jenë shumë më të përgjegjshme, dhe gjithçka që marrin nga Çairi përmes taksave dhe tatimeve, do ta kthejnë me investime në gjelbërim, higjienë e tjera.
Sa i përket vendeve të parkimit: Po, sipërfaqja është e vogël – 3,4 km² – dhe sipas regjistrimit jetojnë 63 mijë banorë, por mendoj se ka më shumë, rreth 80 mijë. Për këtë do të japim vizionin tonë se si do ta zgjidhim. Rastësisht, unë vij nga Çarshia e Vjetër, ku së bashku me ministrin e kulturës, Zoran Ljutkov, hapëm një garazh nëntokësor për 60 makina, nën Muzeun dhe Qendrën e Konservimit. Tani e kemi pastruar, do ta rregullojmë hapësirën dhe bashkë me pjesën e sipërme do të ketë gjithsej 120 vende parkimi. Këto ditë, gjithashtu, në lagjen Gazibabë ka një hapësirë të madhe prej rreth 2000 m², e cila më parë është përdorur për ngrohje me dru, si hapësirë e “Karaxhicës”. Jemi marrë vesh që, pasi nuk është në funksion, ta hapim për qytetarët për parkim – do të ketë mbi 100 vende të reja. Gjatë këtij viti kemi marrë vendim në Qeveri dhe tashmë është në procedurë në Ministrinë e Transportit, për të hapur garazh nëntokësor në sheshin “Skënderbeu”, në hyrje të Çarshisë, për 400 makina, në dy kate nën tokë, ndërsa sipër do të jetë shesh me gjelbërim dhe hyrje e bukur për Çarshinë e Vjetër të Shkupit.