GazetaMax
LAJME

Ja dëshmitë se rinia nuk po largohet por po dëbohet nga mungesa e funksionimit normal të një shteti !

Shkup, 19 prill – Rezultatet e regjistrimit të popullsisë kanë nxjerrë në pah se në Maqedoninë e Veriut është ulur dukshëm numri i të rinjve, me këtë dhe i fuqisë punëtore, shkruan Zhurnal.

Pritja më shpresë dhënëse për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është shndërruar pritja e terminit për të marrë viza për të shkuar në vendet evropiane, sidomos në Gjermani. Se të rinjtë e vendit tonë e duan punën dhe duan të punojnë është fakt i pa mohueshëm, përndryshe nuk do të arrinin të mbijetonin në shtetet evropiane aty ku puna është primare. Pra, ajo që u mungon të rinjve është një punë e sigurt për të pasur një mirëqenie sociale.

Por, si duket të rinjtë po preferojnë më mirë të presin para ambasadës gjermane se sa të presin që do të bëhet mirë në këtë vend, fundja kjo pritja para ambasadës është pritje afat shkurtër që pastaj ofron zgjidhje afatgjate e ndryshim drastik në mënyrën e jetesës dhe funksionimit.

Studiuesi Blazhenen Maleski theksoi se popullsia në Maqedoni po plaket dhe në vitin 2002 të rinjtë përbënin 23.8 për qind të popullsisë së përgjithshme, ndërsa tani ka rënë në 17.8%.

“Sot kemi 17.8 për qind të rinj nga numri i përgjithshëm i qytetarëve. Domethënë kemi 150 mijë të rinj më pak në vitin 2022, çka tregon një ndryshim serioz demografik. Nga sa shohim nga të dhënat fillestare, 10.5 për qind e të rinjve (15-29 vjeç) janë larguar nga vendi dhe nuk janë popullsi rezidente. Gjithsej 53.900 të rinj nuk janë më në vend. Mund të shohim një trend në bazën e të dhënave të atyre që ishin të rinj në 2002, sot do të ishin 35 deri në 49 vjeç, 100,000 të mbetur. Domethënë 20,8 për qind nga ata që ishin të rinj në vitin 2002 janë larguar dhe sot nuk janë në vend”, tha Maleski.

Drejtoresha Ekzekutive e Forumit Rinor Arsimor (FAR), Teodora Stolevska, theksoi se organizatat rinore kanë vite që bëjnë thirrje se të rinjtë po largohen nga vendi, ndërsa regjistrimi, siç tha ajo, vërtetoi se shumë prej tyre tashmë kanë lëvizur.

“Sipas një sondazhi të fundit nga Fondacioni Westminster për Demokraci, dy të tretat e të rinjve duan të largohen nga vendi dhe, nëse u jepet mundësia, do të largohen. Qëndrime të tilla bazohen në cilësinë e dobët të arsimit që marrin të rinjtë në vend, shkallën e lartë të papunësisë tek të rinjtë dhe të ardhurat e ulëta që kanë të rinjtë. Shkalla e lartë e korrupsionit na ka sjellë në një situatë ku më shumë se 83% e të rinjve nuk u besojnë institucioneve”, tha Stolevska.

Ajo shtoi se përkundër cilësisë së ulët të arsimit dhe të ardhurave të ulëta, cilësia e shëndetit, mjedisit dhe kushtet socio-politike janë arsye shtesë pse të rinjtë largohen nga vendi. “Na duhen politika që i zgjidhin këto probleme të të rinjve, por edhe politika që do të zbatohen në vazhdimësi”, tha Stolevska.

Deputetja e re liberal -demokrate , Monika Zajkova tha se popullsia po plaket dhe po rritet përqindja e të rinjve që e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. Ajo theksoi se është urgjente të shihet se çfarë mund të bëjë për ta bërë vendin tonë tërheqës për të rinjtë.

Ditë më parë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim i ftuar në emisionin “Klan Debat” ndër tjerash ka folur edhe për ikjen masive të rinisë nga Maqedonia e Veriut dhe të gjithë ata që braktisin Republikën e Maqedonisë së Veriut sipas Ali Ahmetit nuk janë patriota.

“Me ju thanë njerëzve pse po largoheni ju? Ju nuk jeni patriota që e braktisni vendin. Nuk mundesh t’iu bësh 2.000 euro rrogën“, janë fjalët e Ahmetit të thëna gjatë emisionit.

Por ajo që është e rëndësishme të thuhet është se rinia po largohen apo po dëbohen, po kërkojnë paga 2.000 euro apo po kërkojnë kushte elementare për jetesë: punësim, drejtësi, dhe meritokraci.

Pra, është absurde të thuhet se të rinjtë presin paga 2.000 euro, për faktin se rinia nuk mund të flet për paga e aq më pak të kërkojë shuma të mëdha përderisa nuk janë as të punësuar e nuk mund të punësohen asesi aty ku duan dhe duhet të jenë.

Rinia nuk po largohet vetëm për shkak të papunësisë dhe kushteve ekonomike, arsye të tjera për largimin e rinisë nga vendi janë edhe shumë të tjera duke filluar nga mungesa e një arsyeje të vetme pse të qëndrojnë. Në vendin që rastet montohen, persona të pafajshëm viktimizohen, padrejtësi në organet e drejtësisë, institucione arsimore të mbushura me njerëz të pa arsimuar, spitale që edhe vizitorët e pacientëve sëmuren e lëre më të sëmurit që shpresat e shërimit i kanë te lutjet lartë në qiell…

Këto dhe shumë faktorë të tjerë dëshmojnë se rinia nuk po largohet por po dëbohet nga mungesa e funksionimit normal të një shteti ashtu si duhet, dhe personave të dëbuar nuk u kërkohet llogari për mos qëndrimin e tyre në vendin e dëbimit./Zhurnal.mk

Related posts

Uji në Tetovë ka erë dhe shije të çuditshme, kompetentët thonë se është i sigurtë për pije

e-max

Ahmeti: Mbi funksionet partiake qëndrojnë misionet dhe pesha e madhe e përgjegjësisë

e-max

Grubi: Gonxhe Bojaxhiu i mësoi botës nocionin e dhembshurisë

e-max