Kaloi të gjithë natën në terren, ministri Nufi jep lajmin e mirë: Zjarrin në Krujë e dominuam plotësisht, parandaluam katastrofën

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi i cili së bashku me kolegun e tij, atë të Ministrisë së Brendshme, ministrin Besfort Lamallari kaluan natën në terren, ka reaguar lidhur me zjarret që përfshinë një ditë më parë Krujën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nufi ka publikuar pamje nga momentet kur zjarrfikësit luftonin si nga toka dhe nga ajri për të shuar zjarret. Po ashtu, ministri ka dhënë lajmin e mirë se prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, flakët janë vendosur plotësisht nën kontroll, ndërkohë që po vijon puna për neutralizimin e një vatre në majë të malit.

“Situata është krejtësisht e qetë dhe fatmirësisht një katastrofë e mundshme u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura – të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur. Pjesa më e madhe e këtyre forcave tashmë janë rishpërndarë”, shkruan ministri ndër të tjera.