GazetaMax
Lajme

Kandiq: Askush për sulmin në Banjskë nuk është arrestuar, pse po heshtet për këtë rast?

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, aktivistja Natasha Kandiq ka thënë se Serbia nuk ka asnjë arsye të mos e pranoj Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.

Ajo në një intervistë ekskluzive për Radio Dukagjinin ka bërë thirrje që të mos glorifikohen kriminelët, ndërkohë ka folur edhe për ndryshime vlerash rreth të drejtave të njeriut, duke përmendur luftën në Gaza e qëndrimin amerikan.

Kandiq ka folur edhe rreth sulmit në Banjskë, për të cilin rast tha se ende askush në Beograd nuk është arrestuar.

RD: Kohëve të fundit po shohim një lobim të fuqishëm të Serbisë, për të penguar miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë. Çka do të thotë për Serbinë miratimi I kësaj rezolute?

Kandiq: Sinqerisht nuk ka asnjë arsye që Serbia të mos e pranoj këtë rezolutë dhe që të mos e respektoj Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit ndaj Viktimave të Gjenocidit. E tëra, do të thosha, është vendim politik që nuk është shumë racional.

Unë shpresoj që një ditë pushtetarët tjerë në Serbi do të kenë mendim krejt ndryshe dhe që do ta respektojnë këtë ditë dhe ta pranojnë si diçka të rëndësishme, meqë diçka e rëndë ka ndodhur në këto hapësira. Kjo do të duhej të shënohej, të kujtohet, në mënyrë që asnjëherë më të mos përsëritet.

Unë nuk e shoh asnjë arsye të vetme që kjo ditë të mos pranohet edhe nga qeveritarët aktual në Serbi, pasi që janë marrë vendime të shumta penale që dëshmojnë bazuar në dëshmi të numërta, fakte të konfirmuara, se në Srebrenicë është kryer gjenocidi në korrik të vitit 1995. Këto janë fakte gjyqësore që duhet respektuar. Unë mendoj se edhe kjo rezolutë në fakt bënë thirrje për të kujtuar, për t’u kthyer prapa për atë që është konfirmuar, në mënyrë që të krijohen mekanizma të fuqishme, që diç e tillë të mos përsëritet.

RD: Çka fiton Bosnja me miratimin e kësaj Rezolute?

Kandiq: Mendoj se klima politike, në tërë rajonin, në hapësirat e ish Jugosllavisë, por edhe në Evropë, në veçanti tash me luftën në Gaza, ka ndryshuar tërësisht.

Kështu, edhe shtetet nga të cilat kemi mësuar respektimin e të drejtave njerëzore, që askush nuk mund dhe nuk guxon të jetë mbi ligjin, tash nga to po përballemi me një politikë tërësisht shkatërruese, në raport me qëndrimin ndaj krimeve të luftës.

Po e shohim Amerikën që po e mbështet Izraelin, po e shohim regjimin e Izraelit, që përjetoi holokaustin dhe ku udhëheqja shtetërore, kryeministri kanë dal nga zgjedhjet demokratike, po thuhet se ata nuk mund të akuzohen. Do të thotë disa politikanë po vendosen mbi ligjin.

Mendoj se as në Bosnje nuk do të ndodh asgjë e veçantë, meqë në një pjesë të Bosnje e Hercegovinës, narrativi më i fuqishëm është ai për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, ndërsa në pjesën tjetër ka kundërshtim, ani se ka vendime gjyqësore.

Kjo do të thotë se rezoluta nuk do të ndryshoj raportet për të mirë, për arsye se politikanët në pushtet, nga të dyja palët, nuk po ia dalin të gjejnë hapësirën, mekanizmat, apo t’i pranojnë interesat e përbashkëta e ku mund të shohin një të ardhme. E rëndësishmja e kësaj rezolute është porosia se viktimat e gjenocidit, dhe në përgjithësi viktimat e krimeve të luftës duhet të respektohen dhe se edhe faktet gjyqësore po ashtu duhet të respektohen dhe duhet të marr fund glorikifimi i atyre që janë akuzuar dhe të dënuar.

Qytetarët duhet të kërkojnë nga politikanët pjekuri për të mirën e të gjithëve, e jo të shohim situata armiqësore dhe një hapësirë e zbrazët ku assesi nuk mund të gjendet një zgjidhje e mirë.

Kemi akte dhe veprime të përditshme armiqësore. Serbia dhe Kosova janë shembull i mirë meqë kanë ndodhë disa gjëra të mira, ani pse me vonesë. P.sh lëvizja e lirë, që është dashur para 20 vjetësh të ndodhte. Kështu do të kishte më shumë komunikim mes njerëzve, jo vetëm liri por edhe njohje të ndërsjellë dhe pajtim.

RD: Miratimi i Rezolutës a do t’i hapte rrugë Kosovës që të padisë Serbinë për krime luftë?

Kandiq: Mendoj se jo. Kjo Rezolutë nuk krijon asnjë hapësirë për të ndërmarrë veprime juridike kundër Serbisë lidhur me krimet e luftës. Tribunali i Hagës ka gjykuar, ka dënuar përfaqësuesit më të lartë civil, policor dhe ushtarak.

Problemi qëndron tek fakti se Serbia, bazuar në faktet e Hagës nuk po ngrit aktakuza ndaj atyre që janë përgjegjës. Por, që Kosova të filloj ndonjë proces, nuk ka hapësirë. Zgjidhja e vetme është që të vendoset bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të marrin fund veprimet e njëanshme juridike që askujt nuk i sjellin të mirë, por që përmes bashkëpunimit, sa ende ka kohë dhe dëshmitarë, veçanërisht në Serbi të fillojnë proceduat kundër numrit të theksuar të pjesëtarëve të policisë dhe ushtrisë, që ishin në pozita të larta gjatë luftës, veçanërisht gjatë 78 ditëve kur forcat serbe po i shfrytëzonin bombardimet e NATO-s për të kryer krime lufte.

RD: A e shihni ju rrezikun e përsëritjes së Banjskës apo ndonjë incidenti të ngjashëm në Kosovë?

Kandiq: Mendoj që Banjskën ende nuk e kemi sqaruar, ajo duhet që në kuptimin juridik të zgjidhet.

Do të thotë duhet të ketë proces ndaj përgjegjësve, askush lidhur me ngjarjen nuk është arrestuar, nuk ka aktakuza, derisa jam e mendimit se derisa atje është KFOR-i nuk ka rrezik për aksione të ngjashme. Është dëshmuar se ka kapacitete që me kohë të ketë informata dhe të pengohen incidente më të mëdha. Kështu që nuk pres që do të ketë përsëritje të Banjskës.

Por, është e domosdoshme që të zgjidhet çështja e Banjskës dhe nuk shoh pse po heshtet për këtë rast, si nga pala kosovare ashtu edhe ajo serbe, por as bashkësia ndërkombëtare, në fakt Bashkimi Evropian nuk po e flet për këtë çështje.

Related posts

128 kundërvajtje në komunikacion, 20 për tejkalim të shpejtësisë

Gazetamax.mk

Apasiev i Levicës i dalldiset ambasadores amerikane: Do e kishim takuar me kënaqësi

Gazetamax.mk

Ish kryeministri italian, Leta, propozon Konfederatë Evropiane me 36 shtete

Gazetamax.mk