Katër arsyet pse Mariupoli ka kaq shumë rëndësi për Rusinë

Mariupoli është qyteti i bombarduar më së rëndi dhe më i shkatërruari në luftën e Ukrainës me Rusinë – duke pësuar më së keqi nga sulmet e vazhdueshme ruse. Ky qytet është kyç për fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë. Por pse?
Më poshtë mund të lexoni katër arsyet se pse marrja e kontrollit të këtij qyteti-port do të ishte një fitore e madhe strategjike për Rusinë – dhe një goditje e madhe për Ukrainën.
Sigurimi i korridorit tokësor ndërmjet Krimesë dhe Donbasit
Gjeografikisht, qyteti i Mariupolit zë një vend të vogël në hartë, por tani me kokëfortësi i ka dalë në rrugë forcave ruse, të cilat ia kanë mësyrë këtij qyteti nga Gadishulli i Krimesë.
Forcat ruse po sulmojnë verilindjen, në përpjekje që të krijojnë një lidhje tokësore me aleatët e tyre separatistë në rajonin Donbas – term që përdoret për dy rajonet: Luhansk dhe Donjecks – që gjendet në lindje të Ukrainës.
Gjenerali Richard Barrons, ish-komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar, tha se marrja nën kontroll e këtij qyteti është jetike për përpjekjet e luftës së Rusisë.
“Kur rusët të ndjejnë se e kanë përfunduar me sukses atë betejë, ata do të kenë përfunduar krijimin e një ure tokësore nga Rusia në Krime dhe do ta shohin këtë gjë si një sukses të madh strategjik”, tha ai.
Nëse Mariupoli do të binte nën kontrollin e Moskës, Rusia do të kishte kontrollin e plotë të më shumë se 80 për qind të vijës bregdetare të Ukrainës në Detin e Zi – duke e ndërprerë tregtinë detare të Kievit dhe duke e izoluar atë edhe më shumë nga bota.
Duke u përballur me forcat ruse gjatë tre javëve të fundit, ukrainasit kanë arritur të preokupojnë një numër të madh të trupave ruse. Por, dështimi i Rusisë për ta marrë shpejt nën kontroll këtë qytet, i ka shtyrë komandantët rusë që të përdorin një version të shekullit 21 të taktikave të rrethimit mesjetar.
Ata kanë goditur Mariupolin me artileri, raketa, duke dëmtuar apo shkatërruar mbi 90 për qind të qytetit. Ata po ashtu ia kanë ndërprerë këtij qyteti qasjen në rrymë, ngrohje, ujë të pijshëm, ushqim dhe furnizime mjekësore – duke krijuar një katastrofë humanitare të shkaktuar nga njeriu, për të cilën Moska tani e fajëson Ukrainën se refuzoi kërkesën që të dorëzojnë këtë qytet deri në orën 05:00 të së hënës. Një deputet ukrainas e ka akuzuar Rusinë se “po tenton që Mariupoli të vdesë urie në mënyrë që ta detyrojë të dorëzohet”.
Ukraina është zotuar se do ta mbrojë qytetin deri në ushtarin e fundit. Dhe, mund të vijë edhe deri te ky skenar. Trupat ruse po përparojnë drejt qendrës së qytetit dhe në mungesë të ndonjë lloj marrëveshjeje të paqes, e cila do të ishte e zbatueshme, Rusia ka të ngjarë që të intensifikojë bombardimet e saj – duke bërë pak apo aspak dallim midis ushtarëve të armatosur dhe popullsisë së rrethuar civile. Në këtë qytet vlerësohet se ende janë të bllokuar mbi 200,000 civilë.
Nëse dhe kur Rusia e merr kontrollin e plotë të Mariupolit, kjo do të bënte që Rusia të çlirojë afërsisht 6,000 trupa të saj – të organizuara në batalione taktike prej 1,000 trupash – dhe t’i dërgonte më pas për të përforcuar frontet e tjera ruse në zona të tjera të Ukrainës.
Ekzistojnë një sërë mundësish se ku këto trupa, që aktualisht po sulmojnë Mariupolin, do të mund të vendoseshin:
Në verilindje për t’iu bashkuar betejës për rrethimin dhe shkatërrimin e trupave të rregullta të forcave ukrainases që po luftojnë me separatistët pro Kremlinit në rajonin e Donbasit
Në perëndim për të avancuar drejt Odesës, që do të ishte qyteti i fundit i madh i Ukrainës me dalje në Detin e Zi
Në veriperëndim drejt qytetit Dnipro
Ngufatja e ekonomisë së Ukrainës
Për një kohë të gjatë, Mariupoli ka qenë një port i rëndësishëm dhe strategjik në Detin Azov, që është pjesë e Detit të Zi.
Me shtretërit e tij të thellë, ai është porti më i madh në rajonin e Detit Azov dhe është shtëpi e një fabrike të madhe të hekurit dhe çelikut. Në kohë normale, Mariupoli është qendër kryesore e eksportit të çelikut, qymyrit dhe misrit të Ukrainës që dërgohen te konsumatorët në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Për tetë vjet tashmë, që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Moska më 2014, ky qytet ka mbetur në mes forcave ruse që gjenden në Krime dhe separatistëve pro Kremlinit në republikat e vetëshpallura separatiste të Donjeckut dhe Luhanskut.
Humbja e Mariupolit do të ishte një goditje e madhe për atë që ka mbetur nga ekonomia e Ukrainës.
Mundësi për propagandë
Në Mariupol gjendet njësia ushtarake ukrainase e quajtur Brigada Azov, që është emëruar në bazë të Detit Azov që lidh Mariupolin me pjesën tjetër të Detit të Zi. Në Brigadën Azov bëjnë pjesë ekstremistë të krahut të djathtë, përfshirë edhe neo-nazistë.
Edhe pse kjo brigadë përbën një fraksion të vogël të forcave luftuese të Ukrainës, ajo ka qenë një mjet i dobishëm propagande për Moskën, duke pasur parasysh edhe pretekstin e Kremlinit dhënë popullsisë ruse se ushtarët janë dërguar në Ukrainë për të hequr qafe neo-nazistët në shtetin fqinj.
Nëse Rusia arrin që të zë të gjallë një numër të konsiderueshëm të luftëtarëve të Brigadës Azov, ka të ngjarë që ata do të paraqiten në mediat e kontrolluara nga Rusia si pjesë e luftës së vazhdueshme propaganduese për ta diskredituar Ukrainën dhe Qeverinë e saj.
Një shtytje e madhe morale
Marrja nën kontroll e Mariupolit nga Rusia, nëse ndodh, do të ishte e një rëndësie të madhe psikologjike për të dy palët në këtë luftë.
Një fitore ruse në Mariupol do t’i mundësonte Kremlinit që t’i tregonte popullsisë së tij – përmes mediave të kontrolluara nga shtetit – se Rusia po arrinte synimet e saja dhe po shënonte përparim.
Për presidentin rus, Vladimir Putin, për të cilin kjo luftë duket të jetë personale, e gjithë kjo ka një rëndësi historike. Ai e sheh vijën bregdetare të Detit të Zi të Ukrainës si pjesë e asaj që quhet Novorossiya (Rusia e Re) – tokat ruse që datojnë nga perandoria e shekullit të 18-të.
Putin dëshiron të ringjallë këtë koncept “duke i shpëtuar rusët nga tirania e një qeverie properëndimore në Kiev”, siç ai e sheh. Mariupoli aktualisht qëndron në rrugën e tij në arritjen e këtij qëllimi.
Por, për ukrainasit humbja e Mariupolit do të ishte një goditje e madhe, jo vetëm në aspektin ushtarak dhe ekonomik, por edhe për aspektin psikologjik të burrave dhe grave që luftojnë në terren duke mbrojtur vendin e tyre. Mariupoli do të ishte qyteti i parë i madh që do të binte në duart e rusëve pas Hersonit, një qytet strategjik, por shumë më pak i rëndësishëm, që mezi është mbrojtur.
Këtu ka edhe një aspekt tjetër, e që është paralajmërimi i zymtë për qytetet tjera.

Një kompleks banimi i shkatërruar nga bombardimet ruse në Mariupol. 18 mars 2022.
Mariupoli ka bërë një rezistencë të ashpër, por kostoja ka qenë e lartë. Qyteti është shkatërruar dhe aktualisht i gjithi është nën rrënoja. Ky qytet do të hyjë në histori së bashku me Groznin dhe Alepon, që Rusia i bombardoi dhe granatoi deri në gjunjëzim, duke i shndërruar në gërmadha. Mesazhi për qytetet tjera ukrainase është i zymtë: nëse zgjidhni të rezistoni siç bëri Mariupoli, atëherë mund të prisni që të keni fatin e njëjtë.
“Rusët nuk mund të hynin në Mariupol”, tha gjenerali Richard Barrons, “ata nuk mund të hynin me tanket e tyre, prandaj e kanë shndërruar këtë qytet në rrënoja. Dhe kjo është ajo që ne duhet të presim që të ndodhë edhe në ndonjë vend tjetër që ka rëndësi për rusët”./REL

Të fundit në përqindje