GazetaMax
Lajme

Kemi nevojë për sinjale të qarta se zgjerimi i familjes evropiane deri në vitin 2030 është një mision i mundur

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka zhvilluar një takim me Ministren e Çështjeve Evropiane të Mbretërisë së Suedisë, Xhesika Rosvall, e cila ndodhet për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të bisedimeve ishte dosja evropiane e vendit tonë dhe e rajonit të Ballkanit Perëndimor në dritën e presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

Në takim, Osmani përshëndeti përpjekjet e kryesisë aktuale suedeze të Këshillit të BE-së në trajtimin e çështjeve të ndjeshme në rrethanat e krijuara komplekse gjeopolitike, veçanërisht të shkaktuara nga agresioni rus kundër Ukrainës. Në këtë kontekst, ai theksoi mbështetjen ushtarake, politike dhe humanitare me të cilën Maqedonia e Veriut kontribuon në përpjekjet ndërkombëtare për t’u përballur me agresionin, duke iu bashkëngjitur të gjitha sanksione të BE-së kundër Rusisë në lidhje me zhvillimet në Ukrainë.

Osmani shkurtimisht informoi për procesin tonë të anëtarësimit, me theks në procesin e skriningut dhe aktiviteteve përgatitore në vend për përmbushjen e obligimeve të parapara para mbajtjes së Konferencës së dytë Ndërqeveritare me BE-në dhe hapjes së kllastereve. Gjithashtu riafirmohet përkushtimi i vendit tonë për të vazhduar dialogun me Bullgarinë bazuar në respektin dhe mirëkuptimin reciprok.

“Zgjerimi i Unionit me vende që plotësojnë kriteret e anëtarësimit është jetik si për vendet përkatëse ashtu edhe për vetë Unionin. Ne kemi nevojë për sinjale të qarta se zgjerimi i familjes evropiane deri në vitin 2030 është një mision i mundur”.

Në një bisedë konstruktive dhe miqësore, ministrat shkëmbyen mendime mbi perspektivën e politikës së zgjerimit të BE-së, me fokus idetë për integrim të përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një hap i besueshëm dhe real në drejtim të përmirësimit të zhvillimit demokratik, duke rritur mundësitë ekonomike për shtetet dhe qytetarët, si dhe duke ndihmuar procesin e pajtimit në rajonin tonë.

Në takim, ministri Osmani ritheksoi mbështetjen e parezervë të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e plotë të Suedisë në NATO për kohë sa më të shpejtë.

Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Osmani e njoftoi Rosvellin me ngjarjet aktuale në lidhje me kryesimin e OSBE-së përmes prizmit të prioriteteve të përcaktuara, në të cilat siguria evropiane dhe Ukraina mbetet prioriteti ynë kryesor, si dhe çështjet kyçe të sigurisë brenda kornizës së OSBE-së 2023.

Related posts

Pollogu humb projektin për trajtim të qenve endacakë!

Gazetamax.mk

Aliti dhe Aliu patën dorëzimin ceremonial të detyrës së ministrit në MSHIA

Gazetamax.mk

Sinishtaj falënderon kongresmenen McClain për letrën dhe përkrahjen e shqiptarëve në Mal të Zi

Gazetamax.mk