GazetaMax
Lajme

Knaus: Sofia do ta kuptojë se nuk mund të fitojë, por për këtë duhet kohë, që Shkupi nuk e ka

Shkup, 19 qershor – Nuk jam optimist se Maqedonia e Veriut, përkundër përpjekjeve të Parisit dhe Berlinit për të ndihmuar në heqjen e vetos, mund të fillojë negociatat me BE-në në fund të presidencës franceze për shkak të situatës së brendshme në Bullgari, por edhe për shkak se nuk ka ndryshim në debatin e opinionit vendor në Bullgari, shprehet në intervistën për MIA-n sociologu austriak dhe kryetar i think tenk organizatës  autoritative “Iniciativa Evropiane për Stabilitet”, Gerald Knaus.

“Sipas përvojës sime nga e kaluara me veton greke, me veton sllovene në kohën e Kroacisë, çelësi i zgjidhjes është ndryshimi i debatit në opinionin vendor, ndërsa nuk shoh se ka ndryshim të tillë për momentin në diskursin publik në Bullgari. Në mosmarrëveshje të tilla dypalëshe, ajo që duhet të ndodhë është që vendi që e ka shkaktuar atë duhet të kuptojë se nuk mund të ketë sukses. Greqia duhej të kuptonte se nuk mund të arrijë të ndryshojë identitetin e Maqedonisë duke ndryshuar emrin e saj në Maqedoni të Veriut. Në fakt, Maqedonia e fitoi këtë kontest meqë ju keni gjuhën maqedonase, kombin maqedonas dhe Greqia duhej ta pranonte këtë. Sllovenia e kuptoi se nuk do ta bënte ndryshimin e kufirit me Kroacinë ashtu siç donte dhe hoqi dorë. Bullgaria duhet të kuptojë se çështja e minoritetit bullgar nuk është problem. Problemi i vërtetë është se ju nuk keni garanci madje edhe nëse arrini marrëveshje për këtë, problemi më i madh është se Bullgaria, respektivisht disa në Bullgari e problematizojnë identitetin maqedonas. Do të vijë momenti kur Bullgaria do ta kuptojë se nuk mund të fitojë. Problemi është se kjo kërkon kohë, ndërsa koha është e vetmja gjë që Maqedonia nuk e ka”, shprehet Knausi i pyetur për fillimin e bisedimeve tona me BE-në deri në fund të presidencës franceze.

Sipas Knausit, i cili është njohës i mirë i situatave në Ballkanin Perëndimor, kontesti me Bullgarinë nuk do të zgjidhet lehtë, Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që është e nevojshme, por, shprehet ai, ka gjëra që nuk guxojnë të komprometohen dhe për momentin problemi qëndron në Bullgari.

Ai konsideron se do të jetë precedent i keq dhe i rrezikshëm për BE-në nëse kërkesat bullgare në lidhje me përcaktimet identitare hyjnë në kornizën e bisedimeve për vendin. Maqedonia e Veriut, edhe nëse dëshiron të bëjë disa lëshime, Knaus sugjeron ta bëjë këtë në mënyrë dypalëshe dhe të mos lejojë që ato të përfshihen në kornizën e bisedimeve.

“Nuk dua të jap këshilla, fundja i takon Qeverisë në Maqedoninë e Veriut të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë. Konsideroj se kjo është e rrezikshme për BE-në. Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron ta bëjë këtë, kjo është punë e saj, por ky do të ishte një precedent i rrezikshëm për BE-në, meqë po përfshini çështje që janë plotësisht dypalëshe dhe që asnjëherë nuk do të duhej të jenë bazë për vendosjen e vetos në nivel evropian. Kjo nuk është mirë, meqë mund të shfaqen shumë çështje të tjera në procesin e zgjerimit me pjesën tjetër të Ballkanit. Prandaj konsideroj se ky është precedent i keq. Madje edhe nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të bëjë ndonjë lëshim, meqë do të vendosë se kjo ia vlen të bëhet, bëjeni atë në nivel dypalësh, thuani Bullgarisë “ne jemi gati ta bëjmë këtë “, por mos e vendosni atë në kornizën e bisedimeve”, shprehet Knausi.

Në intervistën për MIA-n, e cila vijon e plotë, ai mes tjerash flet edhe për shkëputjen e mundshme të Shqipërisë nëse nuk hiqet vetoja për Maqedoninë e Veriut në qershor, për qëndrimin e tij ndaj propozimit francez për bashkësi politike evropiane. Knaus e sqaron idenë e tij për aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun unik evropian si përfitim konkret që çdo vend në procesin e aderimit duhet ta marrë vetëm në bazë të meritave të veta dhe pa mundësinë e vetos. Knausi, i cili mori pjesë në Prespa Forumin për Dialog në Ohër, flet edhe për perceptimin e rajonit në BE dhe dhënien e statusit të kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë.

Një javë para Këshillit Evropian dhe pas përpjekjeve të Parisit dhe Makronit personalisht për të ndërmjetësuar në kontestin me Sofjen për heqjen e vetos dhe vizitës së javës së kaluar të kancelarit gjerman Sholc në Shkup dhe Sofje, si i vlerësoni mundësitë që Maqedonia e Veriut t’i fillojë bisedimet me BE-në në fund të presidencës franceze?

– Bisedat po zhvillohen derisa po flasim, kam frikë se nuk jam optimist nga ajo që e dëgjova, për shkak të situatës së brendshme në Bullgari. Por, është e vërtetë se që të dy, edhe presidenti francez edhe kancelari gjerman, u shprehën se kjo çështje duhet zgjidhur. Megjithatë, sipas përvojës sime nga e kaluara me veton greke, me veton sllovene në kohën e Kroacisë, çelësi i zgjidhjes është ndryshimi i debatit në opinionin vendor, ndërsa nuk shoh se ka ndryshim të tillë për momentin në diskursin publik në Bullgari. Shpresoj të jem gabim, nuk jam aq mirë i informuar siç shprehen disa të tjerë se janë optimistë, por kam parë konteste të tilla dypalëshe dhe ajo që duhet të ndodhë është që vendi që e ka shkaktuar atë duhet të kuptojë se nuk mund të ketë sukses. Greqia duhej të kuptonte se nuk mund të arrijë të ndryshojë identitetin e Maqedonisë duke ndryshuar emrin e saj në Maqedoni të Veriut. Në fakt, Maqedonia e fitoi këtë kontest meqë ju keni gjuhën maqedonase, kombin maqedonas dhe Greqia duhej ta pranonte këtë. Sllovenia e kuptoi se nuk do ta bënte ndryshimin e kufirit me Kroacinë ashtu siç donte dhe hoqi dorë. Bullgaria duhet të kuptojë se çështja e minoritetit bullgar nuk është problem. Problemi i vërtetë është se ju nuk keni garanci madje edhe nëse arrini marrëveshje për këtë, problemi më i madh është se Bullgaria, respektivisht disa në Bullgari e problematizojnë identitetin maqedonas. Do të vijë momenti kur Bullgaria do ta kuptojë se nuk mund të fitojë. Problemi është se kjo kërkon kohë, ndërsa koha është e vetmja gjë që Maqedonia nuk e ka.

Unë kam qenë pesimist qysh në vitin 2019 sapo u ngrit çështja nga Bullgaria, e edhe tani kam frikë se kjo nuk do të zgjidhet lehtë. Pra, asgjë nuk është gabim i Qeverisë maqedonase, ajo provoi me gjithçka, Marrëveshja e miqësisë ishte një gjë shumë e mirë, bisedimet ishin serioze, Maqedonia nuk e provokoi në asnjë mënyrë Bullgarinë. Në këtë rast, Maqedonia e Veriut bëri gjithçka që duhej, por ka gjëra që nuk duhet të komprometohen dhe për momentin problemi qëndron në Bullgari.

Sa mund të jetë pengesë shtesë për arritjen e marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes për heqjen e vetos, kriza politike që ndodhi në Sofje pas largimit të njërit prej partnerëve në koalicionin qeverisës të kryeministrit Petkov?

– Situata në Bullgari, më duhet ta them, po ndryshon çdo moment dhe unë kam kontakte me njerëz në Bullgari, ndërsa shumë gjëra po ndodhin edhe në Ukrainë, kam qenë edhe në Moldavi para disa javësh për të folur për aplikimin e tyre. Për momentin, jemi duke punuar shumë që Bosnja të marrë statusin e kandidatit javën e ardhshme, kështu që nuk jam i fokusuar vetëm në Bullgarinë, ndërsa politika bullgare është aq e ndërlikuar për momentin dhe nuk mund ta ndjekësh nëse nuk je i fokusuar 120 për qind në atë çfarë po ndodh atje. Megjithatë, nuk kam ndjenjë të mirë për mënyrën se si zhvillohet debati në Bullgari. E di që ka bullgarë që duan ta zgjidhin këtë, dhe të cilët janë sulmuar verbalisht. Kjo nuk është mirë.

Bullgaria insiston që në kuadër të bisedimeve të përfshihen kërkesat e tyre lidhur me identitetin tonë kombëtar, gjuhën dhe historinë tonë, si kusht për fillimin e bisedimeve. Sllovakia dhe Republika Çeke kanë deklaruar tashmë se nuk do të pranojnë kërkesa të tilla dypalëshe në kornizën e negociatave, që bien ndesh me parimet e BE-së. A është e mundur të bëhet lëshim i tillë për Bullgarinë në samitin e radhës të BE-së?

– Po, Sllovakia dhe Çekia kanë të drejtë. Shikoni, unë nuk dua të jap këshilla, fundja i takon Qeverisë në Maqedoninë e Veriut të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë. Mendoj se kjo është e rrezikshme për BE-në. Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron ta bëjë këtë, kjo është punë e saj, por ky do të ishte një precedent i rrezikshëm për BE-në, meqë po përfshini çështje që janë plotësisht dypalëshe dhe që asnjëherë nuk do të duhej të jenë bazë për vendosjen e vetos në nivel evropian. Kjo nuk është mirë, meqë mund të shfaqen shumë çështje të tjera në procesin e zgjerimit me pjesën tjetër të Ballkanit. Prandaj konsideroj se ky është precedent i keq Madje edhe nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të bëjë ndonjë lëshim, meqë do të vendosë se kjo ia vlen të bëhet, bëjeni atë në nivel dypalësh, thuani Bullgarisë “ne jemi gati ta bëjmë këtë “, por mos e vendosni atë në kornizën e bisedimeve.

Çfarë zhvillimesh në raport me zgjerimin mund të priten pas përfundimit të presidencës franceze nëse Shkupi dhe Tirana mbeten sërish pa fillimin e bisedimeve? A do të ndahen vendet në rrugën drejt BE-së?

– Mendoj se është në interesin e Maqedonisë së Veriut që të jenë të ndarë, meqë për momentin kur shihni BE-ja po bllokon Shqipërinë pa kurrfarë arsye. Kjo në fakt sugjeron se nuk është vetëm Bullgaria ajo që bllokon, por janë më shumë, kjo është evidente. Nëse BE-ja fillon bisedimet me Shqipërinë, ndërsa vendi i vetëm që për momentin është i bllokuar është Maqedonia e Veriut, atëherë është e qartë pse. Mendoj se kjo do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut ta bëjë të qartë çështjen, e Bullgarinë të ndjejë se nuk janë të vetmet që kanë dilema për zgjerimin. Është mirë ajo që Shqipëria deri tani nuk ka kërkuar shkëputjen e lidhjes, meqë është fqinj i mirë, por konsideroj se nëse nuk ka marrëveshje të mirë tani, nëse Makron dhe Sholci nuk arrijnë të ndryshojnë pozicionin bullgar, bisedimet duhet të fillojnë së paku me Shqipërinë, meqë atëherë do të bëhet e qartë edhe se pas kësaj fshihen disa shtete të tjera anëtare. Në fakt, mendoj se ajo do të ishte më mirë. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë nevojë për njëra-tjetrën për shumë çështje dhe marrëdhëniet e tyre janë të mira dhe nuk do ta rrezikoja këtë, por për momentin askush nuk po përparon. Mali i Zi bisedon për 10 vjet, ndërsa ka mbyllur vetëm tre kapituj, kjo nuk është serioze. Serbia ka tetë vjet që bisedon. Të gjitha këto ndërlidhje, respektivisht që vendet të jenë në paketë, si kjo e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në fakt deformojnë idenë e përparimit sipas meritave. Maqedonia e Veriut nuk do të humbasë nëse Shqipëria i fillon bisedimet.

Nëse shikojmë thelbin e aderimit në BE, KE duhet të thotë se vendi ka arritur gatishmëri të mirë në të gjithë kapitujt plus sundimin e së drejtës. Në raportin e fundit të Komisionit për kapituj dhe këtu do t’i vendos të gjitha vendet, do të shohim se Maqedonia e Veriut për momentin është në pozicion të njëjtë me Serbinë pa filluar negociatat, që do të thotë se nëse do të kishim vlerësim sipas meritave, Maqedonia e Veriut është po aq afër anëtarësimit sa edhe Serbia. Shqipëria për momentin ka mbetur prapa dhe do të ishte mirë nëse i mbërrin, por në fund nëse vendi do të anëtarësohet apo jo, vendos përmbushja e kritereve dhe sigurisht, politika, por pa këtë asnjë vend nuk mund të anëtarësohet.

Prandaj, angazhohem për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë meqë kjo do të jetë mirë për të gjitha vendet, e veçanërisht për ato që janë të bllokuara si Kosova, Bosnja dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut. Nëse vendi arrin gatishmëri të mirë në të gjithë kapitujt, atëherë duhet të ketë garanci tani që ai vend mund t’i bashkohet tregut unik dhe të marrë katër liritë për njerëzit dhe kapitalin si Norvegjia dhe Islanda. Kjo nuk është alternativë. Ju jeni duke biseduar për anëtarësim, por politika e zgjerimit, siç e pamë, është e ndërlikuar. Por, nëse vendi i arrin këto kritere dhe Komisioni vlerëson çdo vend, çdo vit, atëherë ai vend ose të gjitha vendet duhet të marrin garanci që sapo të përmbushin kriteret, të marrin të paktën qasje në tregun e vetëm.

Unë e propozova këtë tre vjet më parë, dhe kjo ishte e pranuar, mendoj se Maqedonia e Veriut do të ishte aq afër, nëse jo tashmë atje, për të marrë katër liritë. Siç bëra të ditur edhe në panel diskutimin, Lituanisë dhe Letonisë, vende që janë shumë të ngjashme me Maqedoninë e Veriut për nga madhësia dhe PBB-ja për kokë banori, iu deshën 34 muaj për të kompletuar të gjithë legjislacionin evropian. Kjo është e mundur edhe këtu, e do të thoshte se kemi proces që me të vërtetë bazohet në sistem meritash dhe të gjashtë vendet do të kishin qëllimin që nuk mund të bllokohet me veto. Nuk mund të vendoset veto ndaj përparimit tuaj, arritjeve tuaja, e as ndaj raporteve të Komisionit, i cili është padyshim objektiv për këtë. Për shembull, në fushën e administratës publike, gjyqësorit, korrupsionit, etj., Maqedonia e Veriut është në krye sipas Komisionit, bëni që kjo të ketë kuptim dhe mendoj se ka mundësi. Pra, ky nuk është ndryshim i procesit të aderimit, e as që është formë e re anëtarësimi, por përfitim konkret që vendi duhet të marrë vetëm në bazë të meritave të tij.

Si të arrihet kjo?

– Për këtë nevojitet propozim që mund ta parashtrojë presidenca çeke, siç është marrëveshja për bashkësinë e transportit për të pasur marrëveshje për bashkësi ekonomike, që nuk do të thotë procedurë të re, bisedime të reja, vetëm pasi jeni në procesin e aderimit dhe i përmbushni këto kritere – e merrni këtë beneficion. Konsideroj e kjo mund të funksionojë meqë nuk mund të shfrytëzohet veto dhe nuk përfshin politikë, por do t’u mundësojë njerëzve përfitime me katër liri. Kjo do të thotë se secili nga Maqedonia e Veriut do të kenë të gjitha të drejtat në BE si edhe norvegjezët. Norvegjezët mund të studiojnë kudo në BE për çmim të njëjtë si edhe qytetarët e BE-së. Për bizneset nuk ka më kontrolle kufitare, fare. Ky është dallimi midis Irlandës së Veriut dhe Britanisë së Madhe sot. Ajo që po shohim pas Bregzitit është se Irlanda e Veriut është shumë më e mirë ekonomikisht se Britania e Madhe, sepse është pjesë e tregut unik. Ky është përfitim i vërtetë. Britania, e cila është jashtë tregut unik, paguan të njëjtin çmim si Ballkani Perëndimor, me ndryshimin se ishte një zgjedhje e Britanisë, ndërsa  dhe vendet e rajonit nuk e kishin një zgjedhje të tillë.

Presidenti Makron doli me ide të re për krijimin e Bashkësisë politike evropian në kushte kur procesi i zgjerimit praktikisht është ndalur, ndërsa në tokën evropiane po zhvillohet luftë (në Ukrainë). Çfarë mendoni për këtë ide?

– Tashmë ekziston Bashkësi politike evropiane e demokracive në të cilëjn janë edhe Britania, Maqedonia e Veriut dhe Zvicra, e ky është Këshilli i Evropës. Ministrat e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës mund të takohen një herë në vit, bëhet fjalë për vlera të përbashkëta. Forcimi i KE-së është ide shumë e mirë për vendet e Ballkanit, sepse ato tashmë janë anëtarë. Do të flisja më shumë për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së, meqë vendet e Ballkanit Perëndimor qëndrojnë shumë mirë këtu. Nëse shikoni vendimet që konsiderohen si prioritet sepse janë shumë të rëndësishme, Mali i Zi nuk ka asnjë vendim që nuk e ka zbatuar. Të gjitha vendet e Ballkanit janë ndër më të mirat në KE. Pra, forcimi i KiE-së dhe theksimi se vendet e Ballkanit janë ndër më të mirat kur bëhet fjalë për zbatimin e aktgjykimeve, besoj se është porosi e rëndësishme për pjesën tjetër të Evropës, meqë njerëzit nuk e dinë këtë. Ideja për të krijuar lidhje më të ngushta derisa vendet të anëtarësohen është e mirë, por duhet të ketë përmbajtje, duhet të ketë interes.

Përparësia e anëtarësimit në tregun unik është diçka konkrete. Norvegjia e ka këtë, Finlanda dhe Austria e kishin gjithashtu para se të bëheshin anëtare të BE-së. Ata fillimisht iu bashkuan tregut unik më 1994, e një vit më vonë në vitin 1995 u bënë anëtarë të Bashkimit. Meqë pasi të bëheni një herë pjesë e tregut unik, hyrja në BE është shumë e lehtë. Arsyeja pse funksionon integrimi në BE qëndron në atë se ekziston nxitja. Në Marrëveshjen nga Roma bëhet e ditur se qëllimi është eliminimi i barrierave që ndajnë Evropën. Nuk thotë eliminimi i barrierave midis gjashtë vendeve, por për Evropën. Fillimisht ishin gjashtë shtete, pastaj 12, pastaj 15, pastaj 27. Ne duhet të eliminojmë të gjitha barrierat midis Ballkanit dhe BE-së dhe ky është tregu unik, katër liritë. Siç deklaroi ministri francez i Punëve të Jashtme Shuman gjatë krijimit të bashkësisë së parë – solidariteti në vepër. Ne kemi nevojë për më shumë solidaritet në vepër meqë interesat i lidhin vendet. Tregu unik zbatohet në Irlandën e Veriut. Nuk ka kufi sot midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës, për pesë vjet kështu duhet të duket kufiri midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kjo është e realizueshme. Nëse Sllovakia mund t’i mbyllte bisedimet për më pak se tre vjet, kjo është e realizueshme. Por, është e nevojshme të jepet sinjal.

Në Prespa Forumin për Dialog morën pjesë të ftuar të lartë – presidentë, kryeministra, ministra nga rajoni, presidenti i KE-së, përfaqësues special për Ballkanin të SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, BE-së dhe Austrisë, ekspertë, analistët politikë .. Cili është perceptimi juaj, a po ndryshon në Evropë perceptimi për rajonin dhe integrimin e tij evropian?

– Ishte shumë mirë që politikanët nga rajoni, përfshirë edhe nga Maqedonia e Veriut, thanë shumë hapur se mbështesin statusin e kandidatit të Ukrainës, meqë disa nga Evropa Perëndimore i thanë “jo” Ukrainës meqë Ballkani Perëndimor është në pritje. Por, Ballkanit Perëndimor nuk i ndihmon nëse Ukraina është e bllokuar. Dhe ajo që e shohim sot është e kundërta. Duke i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, debati për reformimin e procesit të anëtarësimit është shumë më i fortë, më serioz. Sepse tani çfarë t’i themi Ukrainës, ju morët statusin e kandidatit dhe kaq? Ata janë duke zhvilluar luftë. Nëse statusi i kandidatit është si ai i Maqedonisë së Veriut – të presin 17 vjet në një dhomë nga e cila nuk mund të dalin – ukrainasit nuk do ta pranojnë këtë. Prandaj, tani ka debat të vërtetë për gjënë e radhës që duhet bërë dhe kjo është në fakt mirë për të gjithë.

Related posts

Me konsensus nacional, është i mundur anëtarësimi në BE deri në vitin 2030

Gazetamax.mk

Ruskovska: Arsyet e suspendimit tim janë Spasovski dhe rasti “Besa Trans”

Gazetamax.mk

Ministri Sali: Zbutja e masave anti kovid varet nga imunizimi i qytetarëve

Gazetamax.mk