Koalicioni i të Vullnetshmëve në Berlin: Përkrah Ukrainës

Se sa e vështirë do të jetë arritja e paqes në Ukrainë, u bë e qartë edhe vizualisht në Berlin, në orët e para të mbrëmjes (19.11.2026): plot gjashtë krerë shtetesh e qeverish dhe negociatorë dolën para gazetarëve në Kancelarinë Federale për të bërë të ditura rezultatet e takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve.

Para mediave dolën kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Andy Burnham. Por natyrisht edhe njeriu që duhej të ishte në qendër të vëmendjes: presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Në Berlin kishin mbërritur papritur edhe dy negociatorët amerikanë Jared Kushner dhe Steven Witkoff.

Merz tha në konferencën për shtyp: “Ne duam një paqe për Ukrainën që të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme. Duam më shumë, e jo më pak siguri për Evropën dhe botën.” Shtetet e Koalicionit të të Vullnetshmëve do ta mbështesin Ukrainën për aq kohë sa të jetë e mundur.

Të gjithë sytë fillimisht nga Shenzheni i largët

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë forcat shtytëse të Koalicionit të të Vullnetshmëve, një aleancë prej rreth tri duzinash shtetesh,shumë prej tyre evropiane, por jo vetëm. Ato i bashkon synimi për të vazhduar mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën, si dhe gatishmëria për të garantuar me ushtarë një armëpushim të mundshëm. Ato duan gjithashtu të marrin pjesë në garancitë e sigurisë për Ukrainën, pavarësisht se çfarë forme mund të marrin ato në të ardhmen. Disa vende të koalicionit po e nënvizojnë aktualisht këtë gatishmëri përmes një stërvitjeje të përbashkët ushtarake në Poloni.

Që gjatë ditës, burime të qeverisë gjermane bënë të ditur se grupi i shteteve synonte para së gjithash të rikonfirmonte gatishmërinë për negociata paqeje me Rusinë. Por pikënisja e negociatave territoriale duhet të jetë vija aktuale e kontaktit, u tha në Berlin, pra vija e tanishme e frontit të luftës. Nëse bisedimet e ardhshme sjellin rezultate konkrete, atëherë mund të diskutohet për heqjen e një pjese të sanksioneve ndaj Rusisë. Por vetëm atëherë.

Putin duket i gatshëm për bisedime me evropianët

36 shtete u mblodhën në Berlin, por personat vendimtarë ndodheshin në metropolin kinez Shenzhen, pothuajse 9000 kilometra larg në vijë ajrore. Atje, për shkak të diferencës kohore, që në orët e para të mëngjesit sipas orës së Berlinit, presidenti amerikan Donald Trump, udhëheqësi rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping diskutuan edhe për konfliktin në Evropën e largët.

Të gjitha njoftimet nga Shenzheni u ndoqën me vëmendje në Kancelarinë Federale. Pas takimit tripalësh, Vladimir Putin tha se evropianët mund të vinin së shpejti në Moskë “për bisedime eksploruese”: “Pala amerikane po na nxit të pranojmë përfshirjen e evropianëve”, tha Putin. Por ai i akuzoi sërish evropianët se nuk duan paqe dhe se po armatosin Ukrainën.

Trump telefonon dhëndrin e tij

Në përfundim të samitit të Berlinit, Merz u shpreh shkurt: “Një format i Jaltës nuk do të sjellë paqe.” Në Jaltë, në Krime, në vitin 1945, ende para përfundimit të luftës, fuqitë që më pas do të dilnin fituese nga Lufta e Dytë Botërore ishin takuar për të diskutuar të ardhmen e Evropës. Vetëm Britania e Madhe kishte folur në emër të Evropës. Me sa duket, Merz sheh një paralele mes takimeve si ai në Kinë dhe atij të Jaltës.

Ky mesazh u drejtohej edhe dy kryenegociatorëve amerikanë që qëndronin pranë Merzit. Jared Kushner kishte folur më parë në telefon me vjehrrin e tij, Trump, dhe i kishte informuar pjesëmarrësit e konferencës në Berlin për bisedën. Duke folur për Trumpin, Kushner tha: “Ai nuk ka ndërmend të imponojë asgjë në mënyrë të njëanshme. Ai dëshiron ta bëjë këtë së bashku me Evropën dhe Ukrainën.”

Disa vëzhgues folën për një shpërthim zemërimi të Trumpit, i cili thuhet se ishte ankuar në veçanti për ndihmën ushtarake prej miliarda eurosh që evropianët i japin Ukrainës. Pjesëmarrës të tjerë, megjithatë, nuk e konfirmuan këtë.

Më shumë pyetje të hapura sesa përgjigje

Që herët në mëngjes në Berlin ishte bërë e qartë se do të ishte një ditë e pazakontë. Të gjitha rrugët që çonin drejt Kancelarisë Federale ishin bllokuar dhe në disa vende policët kishin salduar kapakët e pusetave. Dhe jo pa arsye: 26 nga 36 vendet e Koalicionit të të Vullnetshmëve kishin dërguar në kryeqytetin gjerman presidentët ose krerët e qeverive të tyre. Masat e sigurisë ishin në nivel të lartë.

Kohët e fundit duket se ka filluar të ketë lëvizje në përpjekjet e vështira për të ardhmen e Ukrainës, e cila prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë është nën sulmet e Rusisë. Të paktën kështu mendonin disa vëzhgues. Bisedimet ndërkombëtare mes Ukrainës, Rusisëdhe negociatorëve amerikanë, si për shembull në Abu Dabi, kanë ngjallur shpresa për përparim. Pas këtyre bisedimeve, SHBA-ja la të kuptohet se tashmë edhe Evropa do të kishte fjalën e saj për të ardhmen e konfliktit, diçka që për një kohë të gjatë kishte mbetur e paqartë. Por në çfarë forme? Dhe çfarë saktësisht do të diskutohet? Fakt është se Rusia vazhdon ta sulmojë Ukrainën me intensitet të pandryshuar, duke vënë në shënjestër edhe objektiva civile.

Meister: “Asnjë lëvizje reale nga Rusia”

Pikërisht për këtë arsye, Stefan Meister, ekspert për Evropën Lindore në Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP), ka qenë që më parë jashtëzakonisht skeptik për shanset e suksesit të takimeve si ato në Berlin dhe Kinë.

Ai tha për DW: “Mendoj se e gjithë kjo janë vetëm fjalë boshe. Nga pala ruse nuk ka asnjë lëvizje. Kërkesat maksimaliste vazhdojnë të jenë në fuqi. Rusët madje kanë arritur tani që të diskutohet për një rend evropian të sigurisë, pa pasur ende një armëpushim.”

Ky është edhe një shqetësim serioz i shumë evropianëve: Donald Trump kërkon me çdo kusht një marrëveshje. A është ai i gatshëm që për këtë të heqë dorë nga elemente të rëndësishme të arkitekturës ekzistuese të sigurisë? Çfarë ndodh nëse Trump pranon kërkesat ruse, për shembull që pjesë të mëdha të Ukrainës Lindore t’i kalojnë Rusisë?Edhe pse disa prej këtyre territoreve nuk janë pushtuar ende nga rusët?

Wadephul: “Po përgatitemi për dimrin”

Kështu duket se mendon edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul (CDU). Para samitit për Ukrainën në Berlin ai tha për DW: “Po përgatitemi edhe për mundësinë që negociatat të mos jenë të suksesshme dhe që gjatë dimrit të ardhshëm të duhet të vazhdojmë ta furnizojmë Ukrainën me ngrohje, energji elektrike dhe të gjitha mjetet e nevojshme të furnizimit, deri te uji. Dhe gjithashtu që të vazhdojmë të qëndrojmë ushtarakisht në krah të Ukrainës.”

Të gjithë pjesëmarrësit e konferencës së Berlinit morën nga mikpritësit gjermanë si suvenir një copë të vogël të Murit të Berlinit,murit që e mbajti të ndarë qytetin nga viti 1961 deri në vitin 1989.

Një simbol se edhe ajo që për një kohë të gjatë duket e pamundur, mund të bëhet e mundur. Ashtu si paqja në Ukrainë. / DW

Burimi:botasot.info