Është i nevojshëm një Kod zgjedhor krejtësisht i ri me rregulla më të qarta, thotë kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Boris Kondarko, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, Kodi Zgjedhor nuk e përfshin vetëm punën e organeve zgjedhore, por edhe financimin e partive, fushatën, mediat. Kondarko sugjeron që mënyra e financimit të partive duhet të shndërrohet në një ligj të veçantë.
“Unë një herë kam thënë se vështirësinë më të madhe na e shkakton ligji, Kodi Zgjedhor, i cili nga viti 2006 e këndej është ndryshuar dhe plotësuar mbi 30 herë, por megjithatë ka shumë paqartësi, shumë pasaktësi që na hapin çështje juridike dhe na krijojnë sfida që duhet t’i tejkalojmë duke respektuar ligjshmërinë, transparencën dhe vendosjen e barazisë së rregullave të lojës për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje,” tha Kondarko.
Sa i përket analizave dhe paralajmërimeve për inflacion të listave të kandidatëve, KSHZ ka kompetenca të marrë vendime përkatëse dhe t’i përshtasë ato me situatën aktuale, me qëllim që të sigurojë funksionim të qetë të të gjitha veprimeve në procesin zgjedhor dhe të votimit, shpjegon ai.
“Ka spekulime se çfarë mund të ndodhë. Nuk do të ishte mirë të komentohet paraprakisht, mbetet të shihet procedura për pjesën formale të dorëzimit të listave të kandidatëve, e cila është në zhvillim. Kusht i vetëm nuk janë vetëm dy nënshkrimet minimale për dorëzimin e listës. Në kushtet kur ky problem nuk është rregulluar nga Kuvendi, KSHZ sipas nenit 31, paragrafi 2.2, ka për detyrë të miratojë një udhëzim për rregullimin e procedurës së dorëzimit të listave të kandidatëve, pra nënshkrimeve për kandidatët e pavarur apo për grupet e votuesve. KSHZ e ka bërë këtë. Me këtë udhëzim nuk është dalë jashtë ligjit, por vetëm është përshtatur me situatën konkrete,” thekson Kondarko.
Ai shton se çështja e nënshkrimeve nuk është shfaqur tani, pas shpalljes së zgjedhjeve, por ishte e njohur që nga maji, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, kur ekziston e drejta e garantuar me ligj për pjesëmarrje të grupeve të votuesve, KSHZ nuk mund t’ua mohojë këtë të drejtë dhe procesi duhet të zhvillohet.
“Duke marrë parasysh ekzistencën e së drejtës në nenin 60 dhe ekzistencën e procedurës për mbledhjen e nënshkrimeve, si dhe afatin për mbledhjen e tyre sipas nenit 63, që janë veprime të parashikuara në Kodin Zgjedhor, KSHZ ka vepruar ashtu siç ka vepruar. Kjo çështje është e mbyllur. Kam thënë, ka edhe kushte të tjera që duhet të plotësohen. Të shohim nëse pjesëmarrësit në procesin zgjedhor do t’i plotësojnë të gjitha kushtet e tjera ligjore. Pra, nuk mjaftojnë vetëm dy nënshkrime, nevojitet udhëzimi ynë – akt nënligjor që e lehtëson procedurën dhe që shërben si një udhëzues për pjesën administrative e teknike të plotësimit të formularëve që ka miratuar KSHZ dhe që do t’i mundësojnë kandidatëve të legjitimohen para organeve zgjedhore, përkatësisht që lista e tyre të konfirmohet,” theksoi kryetari i KSHZ-së.
I pyetur nëse kjo do ta shtrenjtojë procesin zgjedhor, Kondarko tha se është e mundur, por duhet pritur për të parë numrin përfundimtar të kandidatëve dhe listave të dorëzuara.
“Do ta shohim pasi të mbarojë afati për dorëzimin e listave, më 13 shtator, sa do të dorëzohen, sa do t’i plotësojnë kushtet dhe sa do të konfirmohen. Ne me vendim përcaktojmë pamjen, formatin dhe përmbajtjen e fletës së votimit, dhe do ta përshtatim ashtu siç duhet për të garantuar të drejtën e të gjithëve. A do të shtrenjtohet procesi? Është e mundur, por ne duhet ta realizojmë procesin,” tha Kondarko.