GazetaMax
Lajme

Konferencë: Harmonizim i praktikës gjyqësore në Ballkanin Perëndimor

Shkup, 3 qershor – Harmonizimi i praktikës gjyqësore në Ballkanin Perëndimor në përputhje me standardet e Konventës Evropiane për Mbrojtje të të Drejtave të Njeriut dhe me aktvendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përfaqëson prioritet kyç për institucionet gjyqësore nga rajoni dhe përpjekjet e tyre për përforcim të sundimit të drejtësisë në dritën e perspektivave evropiane.

Ky është përfundimi nga konferenca dyditore “Unifikimi i zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar dhe e drejta e gjykimit në afat të arsyeshëm” që u mbajt në Shkup në organizim të Gjykatës Supreme, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës në kuadër të “Iniciativës për siguri juridike në Ballkanin Perëndimor”.

Në Konferencë morën pjesë edhe gjykatës dhe përfaqësues të gjykatave supreme, kushtetuese dhe të apelit nga rajoni, si dhe gjykatës dhe përfaqësues të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Evropës.

Drejtori i Drejtorisë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Kristof Poirel, në konferencë e theksoi rëndësinë e Iniciativës e cila ka për qëllim që ta përforcojë sigurinë juridike të Ballkanit Perëndimor në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, por edhe e potencoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend Dejvid Gir theksoi se efikasiteti dhe profesionalizmi nuk janë thelbësore vetëm për zbatimin e drejtësisë, por se ato janë me rëndësi të madhe edhe për besimin dhe pozitën e gjithë sistemit juridik.

“Që të fitohet besimi nga publiku, gjyqësori dhe prokuroria duhet ta sigurojnë efikasitetin e sistemit gjithëpërfshirës gjyqësor, gjatë kësaj duke i respektuar vlerat themelore. Por, ata këtë nuk mund ta bëjnë vetë. Është e nevojshme mbështetje nga Qeveria, Parlamenti, Akademia dhe është i nevojshëm partneriteti me shoqërinë qytetare dhe me mediat”, përfundoi Gir në fjalimin e tij.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi theksoi se për Gjykatën Supreme prioritet është vendosja e sistemit efikas gjyqësor i cili siguron mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në mesin e të cilave edhe e drejta e gjykimit në afat të arsyeshëm, me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut me qëllim që ai të jetë modern dhe evropian.

Related posts

Një lajm i mirë vjen nga Emeti

Gazetamax.mk

Zendeli: Ky është moment i duhur të hiqet 20% nga Kushtetuta

Gazetamax.mk

Auto Shkolla BEKO me OFERTË SPECIALE për kandidatët e rinj të regjistruar

Gazetamax.mk