Shkup, 10 qershor – Ballkani i Hapur nuk është në asnjë mënyrë zëvendësim i integrimit evropian, por një nismë për të lidhur rajonin, për komunikim më të thjeshtë dhe më të lehtë mes qytetarëve, tregti më të lehtë dhe komunikim më të madh ndërmjet institucioneve dhe kompanive për të përmirësuar jetën në vendet në këtij rajoni, theksoi kryeministri Kovaçevski në një intervistë për rrjetin televiziv rajonal “Al Xhezira”.
“Procesi që po e zbatojmë me Ballkanin e Hapur është një përgatitje e rajonit për integrim më të shpejtë në BE dhe ka mbështetjen e Brukselit dhe Uashingtonit”, shtoi Kovaçevski në intervistë.
Në intervistë, kryeministri theksoi se nisma është e hapur për të gjitha vendet që dëshirojnë të anëtarësohen dhe se në Samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër u konstatua interesimi i fortë i Malit të Zi dhe Bosnja e Hercegovinës për nismën, gjë e cila u konfirmua nga numri i madh i kompanive që erdhën në Ohër dhe të cilët njohin përfitimet e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon.
Kovaçevski në intervistë iu referua edhe integrimeve evropiane, duke theksuar se pavarësisht nga rezultati i Samitit të qershorit, përkushtimi ynë për anëtarësim në BE mbetet i qartë dhe i vendosur.
“Nëse shikojmë të dhënat empirike për vendin tonë, atëherë është shumë e qartë se ku duhet të integrohemi sepse 80 për qind e tregtisë sonë të jashtme është me vendet anëtare të BE-së, 80 për qind e investimeve të huaja në vendin tonë janë nga vendet anëtare të BE-së. Kemi marrë vendime të vështira dhe të përgjegjshme. Tani BE-ja duhet të mbajë premtimin e saj dhe në samitin e ardhshëm duhet të korrigjojë gabimin që është bërë deri tani. Sa i përket vendit tonë, pavarësisht nga rezultati i Samitit, përkushtimi ynë mbetet i qartë dhe i vendosur për anëtarësim në BE”, tha Kovaçevski.
Ai shtoi se hapat politikë mbeten për fillimin e negociatave dhe se e vetmja zgjidhje e mundshme që mund të jetë e qëndrueshme dhe që mund të jetë bazë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore, është një zgjidhje që bazohet në vlerat evropiane dhe në të njëjtën kohë kujdeset për dinjitetin si për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe për qytetarët e Bullgarisë.
Lidhur me pritjet nga Samiti i BE-së në qershor, Kovaçevski theksoi se e di që nuk do të jetë e lehtë në rrugën drejt BE-së, dhe theksoi se vazhdimisht ka insistuar që të mos jetë i lidhur me data, duke i nxehur në mënyrë të panevojshme pritjet se kur ata nuk plotësohen, pasojnë zhgënjimet.
“Ne kemi një qëllim shumë të qartë për të filluar negociatat me BE-në. Nëse edhe këtë herë do të ketë veto, do të jetë një shtesë e vetos së qeverisë së mëparshme bullgare dhe në atë rast peng i zgjerimit të BE-së, përveç vendit tonë, do të jetë edhe Shqipëria fqinje. Duhet të jetë e qartë për të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe prandaj Brukseli duhet të hapë sa më parë procesin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duke mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në për të dyja vendet”, theksoi kryeministri.
Lidhur me propozimin për formimin e një lloj bashkësie politike evropiane, kryeministri Kovaçevski theksoi se nuk ka asnjë propozim konkret për atë nismë dhe se kjo nismë ka të bëjë më shumë me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë dhe se po konsiderohet si një model që do të jetë adekuat për këto vende, dhe jo për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilat tashmë ekziston një proces i aderimit me një qëllim dhe rrugë shumë të qartë, përgjatë së cilës duhet të zhvillohen negociatat për anëtarësim dhe të cilat tashmë kanë bërë njëfarë progresi në atë proces.