Kovaçevski: Ka ndërmarrje publike në të cilat anëtarë të bordit drejtues kanë paga më të mëdha se presidenti i shtetit

Shkup, 28 prill– Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm do të punohet në përgatitjen e Ligjit të ri për paga, sepse ekziston mospërputhje në pagat. Kemi ndërmarrje publike në të cilat anëtarë të bordit drejtues kanë paga më të larta se presidenti i shtetit dhe 20-30 vite askush këtë nuk e ka parë, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në kuadër të mbledhjes së 70-të.

Kjo, siç theksoi Kovaçevski, do të bëhet bashkë me sindikatat dhe i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në grupin e punës bashkë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

“Duhet të bëhet riorganizim i sistemeve të cilat nuk janë prekur 30 vjet. Ato janë ndërmarrje publike të cilat krijojnë humbje dhe kjo duhet të bëhet, që të kemi shtet efikas në të cilin sektori privat do t’i marrë shërbimet më të mira nga sektori publik dhe do të jetë gjithmonë i aftë dhe më i mirë dhe më produktiv, që të mundet ta financojë edhe në të ardhmen”, tha Kovaçevski.

Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetit Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, për atë se kur do të rriten pagat në sektorin publik dhe si do të mbështetet rritja e pagave në sektorin privat, Kovaçevski përkujtoi se shteti deri në fund të vitit i subvencionon kontributet për rritjen e pagës minimale, ndërsa aktive është edhe masa për subvencionimin e rritjes së pagave në sektorin privat.

Lidhur me rritjen e pagave në sektorin publik, kryeministri tha se nuk munden vazhdimisht të rriten pagat në sektorin publik, e të rritet produktiviteti dhe efikasiteti në punën e sektorit publik.

“Nuk mundet sektori privat vazhdimisht ta financojë atë, e të mos rritet produktiviteti dhe efikasitetit në punën e sektorit publik. Ata 435 mijë në sektorin privat i financojnë të gjitha pagat në sektorin publik dhe kërkojnë rritje të produktivitetit në punë”, tha Kovaçevski.

Për këtë, theksoi Kovaçevski përmes dialogut ekonomiko-social me sindikatën reprezantuese, fillimisht do të arrihet marrëveshje për vlerën e rritur, e pastaj metodologjia e rritjes.

Kuvendi sot e mbajti seancën e 70-të, në të cilën deputetët u parashtrojnë pyetje anëtarëve të Qeverisë. Kjo është seanca e parë për pyetje të deputetëve drejtuar anëtarëve të Qeverisë të kryeministrit Kovaçevski, të caktuar pas kalimit të 100 ditëve nga formimi i saj.

Të fundit në përqindje